PD kërkesë Kuvendit: Procedurë të përshpejtuar për propozimin që ul çmimin e naftës

Partia Demokratike i ka kërkuar Kuvendit këtë të mërkurë, më 8 prill, që të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar propozimin e saj për uljen e çmimit të naftës.
Grupi parlamentar i opozitës kërkon që ky propozim të përfshihet në seancën plenare të 16 prillit, si një masë emergjente që do të sillte shmangien e pasojave ekonomike që rëndojnë mbi qytetarët.
Shkresa është firmosur nga 36 deputetë.
Propozimi i Partisë Demokratike kërkon vendosjen e akcizës së ndryshueshme për lëndët djegëse. Thënë ndryshe, e gjithë TVSH-ja që akumulohet nga rritja e çmimit të karburantit do të shkojë automatikisht për uljen e akcizës së naftës.
Nëse kjo masë do të aplikohej, sipas demokratëve, sot çmimi i naftës nuk do të ishte më i lartë se 180 lekë për litër.