Pas Brexit-it, miliarda euro në lojë mes Berlinit dhe Londrës

6 vite pas Brexit-it, marrëdhëniet tregtare mes Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar janë stabilizuar, sipas ministres gjermane të Ekonomisë, Katherina Reiche.

Duke folur në një konferencë ekonomike gjermano-britanike në Berlin, ajo tha se Mbretëria e Bashkuar është rikthyer ndër 10 partnerët kryesorë tregtarë të Gjermanisë. Sipas saj, në vitin 2025, volumi i tregtisë mes dy vendeve ka arritur rreth 118 miliardë euro. Gjermania ka importuar rreth 33 miliardë euro mallra nga Britania, ndërsa ka eksportuar rreth 80 miliardë euro drejt saj.

Reiche theksoi se qindra kompani operojnë në të dy vendet dhe se kjo bashkëpunim ekonomik kontribuon në rritjen e mirëqenies.

Katherina Reiche

Ajo u shpreh se lidhjet ekonomike mes dy vendeve janë “të qëndrueshme dhe reale”, duke shtuar se ekziston potencial për thellim të mëtejshëm të tyre.

Sipas saj, krizat e viteve të fundit kanë treguar se tregjet globale nuk funksionojnë më në mënyrë të automatizuar, duke përmendur edhe tensionet e fundit në Ngushticën e Hormuzit si shembull të paqëndrueshmërisë ndërkombëtare.

Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, sipas ministres, ndajnë interesa të përbashkëta në fusha si tregtia, teknologjia dhe siguria e zinxhirëve të furnizimit, veçanërisht në lëndët e para kritike. Ajo theksoi gjithashtu nevojën për një kornizë të re bashkëpunimi pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, duke qenë se BE-ja nuk shërben më si platformë e përbashkët.

Peter Kyle

Nga ana e tij, ministri britanik i Ekonomisë Peter Kyle deklaroi se po synohet një thellim i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike, përfshirë edhe bashkëpunimin në prokurimin e metaleve të rralla. Ai e cilësoi këtë moment si një “shans të jashtëzakonshëm” për rindërtimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Bashkëpunimi i ri bazohet në një marrëveshje të nënshkruar në korrik 2025, e cila parashikon forcimin e marrëdhënieve në fushat e mbrojtjes, sigurisë, ekonomisë, shëndetësisë dhe kulturës.

Britania e Madhe u largua zyrtarisht nga Bashkimi Evropian më 31 janar 2020, ndërsa tregu i përbashkët u braktis në fund të atij viti, pas referendumit të vitit 2016./ Marrë nga DW

Back to top button
LAJMET E FUNDIT