Pamje të trishta! Çdo gjë e bërë shkrumb e hi, çfarë u ka mbetur banorëve pas zjarrit të frikshëm që u “përpiu” banesat (VIDEO)

Zjarri që shpërtheu sot në kompleksin pranë QSUT-së, sipas pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale, nuk ka prekur vetëm fasadën e pallatit, por ka shkatërruar plotësisht çdo orendi dhe pajisje brenda apartamenteve. Banorët e godinës kanë mbetur pa asgjë, veç rrobave që kishin veshur në momentin e evakuimit.

Në një fatkeqësi të kësaj përmase, lajmi i vetëm pozitiv është se nuk ka pasur humbje jete, por dëmet materiale janë të jashtëzakonshme dhe kanë lënë dhjetëra familje pa strehë.

Një video e realizuar brenda apartamenteve më të goditura nga flakët tregon një panoramë të frikshme. Mobiliet, pajisjet shtëpiake dhe çdo send personal janë shkrumbuar plotësisht nën nxehtësinë ekstreme, duke u kthyer në hi. Muret janë mbuluar nga një shtresë e zezë tymi, ndërsa suvaja është rrëzuar në shumë pjesë, duke dëshmuar fuqinë e jashtëzakonshme të zjarrit që përfshiu gjithçka në pak minuta.

Pamjet pasqyrojnë qartë ankthin e banorëve, të cilët humbën çdo gjë përveç rrobave që kishin veshur kur arritën të shpëtonin. Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë punën për të siguruar shuarjen e plotë të çdo vatre të mbetur, ndërsa grupet hetimore po dokumentojnë dëmet e mëdha materiale dhe po përpiqen të përcaktojnë zyrtarisht shkakun e tragjedisë që la pas vetëm shkrumb e hi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT