“Mund të na mbyllet dera për në BE!” Spiropali i jep “leksion” Ramës nga FB: Europa kërkon nga ne institucione që funksionojnë, jo vetëm që ekzistojnë

Ish-ministrja e Jashtme dhe deputetja Elisa Spiropali, e cila ka qenë në qendër të vëmendjes javët e fundit pas përplasjeve të forta me kryeministrin Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me zhvillimet e fundit në Parlamentin e Shqipërisë.

Përmes një postimi në Facebook, Spiropali e cila për disa muaj drejtoi diplomacinë shqiptare, i ka dhënë një mesazh të qartë dhe të “tërthortë” kryeministrit, duke theksuar se Europa kërkon nga Shqipëria atë që fillimisht duhet të kërkojmë vetë: “institucione që funksionojnë, jo thjesht që ekzistojnë”.

“Dje në Parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë,” shkruan Spiropali. “Konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e politikës, por sot problemi nuk është konflikti në vetvete. Problemi është se konflikti banal po zëvendëson funksionin.”

Ajo thekson më tej se Parlamenti nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues dhe në vend që të jetë vendi ku përfaqësohen interesat e shoqërisë dhe ku kontrollohet qeverisja dhe institucionet, ai po kthehet sipas socialistet në një arenë ku energjia shpërdorohet, pa prodhuar drejtim.

“Kur funksioni atrofizohet, pasoja e parë është bjerrja e besimit. Dhe kur bie besimi, nuk dobësohet vetëm Parlamenti, por vetë ideja e Republikës Parlamentare”, duke nënvizuar më tej se në Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura, por me një mirëadministrim dhe një funksionim të vërtetë të çdo hallke.

Në këtë kontekst, Spiropali thekson se Europa pret nga Shqipëria institucione të qëndrueshme dhe funksionale, duke e bërë qartësisht të dukshme nevojën që vendi ta kërkojë këtë nga vetja.

Ky reagim i Spiropalit ka ardhur pas përplasjeve të një dite më parë në Kuvendin e Shqipërisë si dhe akuzave të kryeministrit Edi Rama, i cili nga njësia 14, në kryeqytet foli lidhur me cënimin që opozita e vendit mund t’i bëjë Shqipërisë sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Nuk është derë e hapur përgjithmonë. Mund të mbyllet kjo derë dhe ky moment nuk mund të humbet për asnjë arsye në botë,” deklaroi Rama një ditë më parë.

Postim i plotë i Spiropalit:

Kriza e Parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare.

Dje në Parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë.

Kjo që po ndodh në Parlament nuk është diçka e panjohur për politikën. Konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e saj. Por sot problemi nuk është konflikti në vetvete. Problemi është se konflikti banal po zëvendëson funksionin.

Parlamenti nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues. Në vend që të jetë hapësira ku përfaqësohen interesat e shoqërisë dhe ku kontrollohet qeverisja dhe institucionet, ai po kthehet në një arenë ku energjia po shpërdorohet pa prodhuar drejtim.

Kur funksioni atrofizohet, pasoja e parë është bjerrja e besimit. Dhe kur bie besimi, nuk dobësohet vetëm Parlamenti, por vetë ideja e Republikës Parlamentare.

Sepse një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura. Mbahet me funksion. Me debat që prodhon kuptim. Me kontroll që prodhon përgjegjësi.

Nëse kjo vazhdon, rreziku nuk është thjesht një Parlament i dobët. Rreziku është që Republika Parlamentare të mbetet vetëm formë, dhe jo përmbajtje.

Europa kërkon nga ne atë që duhet të kërkojmë nga vetja: institucione që funksionojnë, jo vetëm që ekzistojnë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT