Ligji i “famshëm” i monopatinave ende i pamenduar! Ministri shuan shpresat e qytetarëve pas 6 muajsh: S’keni për t’i marrë mjetet e sekuestruara

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka dhënë një deklaratë për mediat, ku është pyetur lidhur me fazën në të cilën ndodhet projektligji për monopatinat në Shqipëri. Ashtu si dhe një ditë më parë, ministri preferoi të përgjigjej me shifra, duke theksuar se pas vendimit të qeverisë për ndalimin e këtyre mjeteve, është regjistruar një rënie e ndjeshme e aksidenteve.
Duke shmangur një përgjigje konkrete për datën e mundshme të votimit të projektligjit, Lamallari duket se ka “shuar shpresat” e qytetarëve që prej gjashtë muajsh presin lijimin e përdorimit të monopatinateve.
Për ata që u janë sekuestruar këto mjete, ministri theksoi qartë: nuk do t’i kthehen pronarëve pa dokumentacion të rregullt të pronësisë.
“Të them të drejtën, pasi kam njohur shifrat, është e pamundur t’i injoroj ato, pasi do të ishte tradhti ndaj të dëmtuarve. Jam i kujdesshëm të ndërmarr nisma ligjore pa një plan të mirëfilltë, sepse detyra ime është të mbroj jetën e qytetarëve”, deklaroi Lamallari, duke lënë të kuptohet se ligji për monopatinat do të kërkojë kohë për t’u vendosur në fuqi.
Ndërkohë, pavarësisht ndalimit, në rrugët e kryeqytetit vazhdojnë të shihen qytetarë, përfshirë edhe fëmijë nën moshë, që përdorin monopinatat. Ekspertët e sigurisë thonë se një ligj i qartë dhe i zbatuar nga Ministria e Brendshme mund të frenonte këto praktika, duke garantuar lëvizje të sigurt dhe respekt të rregullave nga të gjithë qytetarët. Mirëpo, ky fakt nuk po merret marasysh nga qeveria!
-Po bëhen 6 muaj që ka një urdhër në lidhje me bllokimin e monopatinave. Mos harrojmë se urdhri nuk ka qenë definitiv për mbylljen përfundimtare, por rikthimin me rregulla të reja. Rregullat e famshme kur do rikthehen apo ku ka ngecur që nuk po bëhen të mundura ndryshimet në kodin rrugor dhe sipas rregullave që i njeh për të gjobitur apo shkuar drejt masave administrative për çdo lloj shkeljeje?
Lamallari: Unë citova dje shifrat zyrtare të dhëna nga Policia e Shtetit lidhur me aksidentet që kanë ndodhur gjatë tre viteve të fundit. Unë e kuptoj që vendime të tilla duhet të mbajnë balancë mes të drejtës së pronës. Megjithatë, nuk jemi këtu për të qenë popullorë, por përkundrazi, koha tregon që vendime provojnë se janë të duhurat sepse ato mbrojnë qytetarët dhe jetën dhe unë besoj fort se padyshim situata e mëparshme nuk mund të vijojë për faktin e shifrave që raportova. Nga miratimi i atij urdhri dhe efektet që ai dha, 6 aksidente në krahasim me 2500 është një shifër kokëfortë dhe duhet marrë në analizë për çdo sugjerim dhe hap të mëvonshëm. Të gjithë ata deputetë që pretendojnë që janë të shqetësuar me këtë nuk mund të sillen sikur nuk është e pranishme.
Nga ana tjetër, mos harrojmë që nuk ka qenë një vendim i marrë në një zyrë, por edhe në grupe interesi ku janë përfshirë dhe qytetarë, këmbësorë, të rinj të cilët sigurisht shprehen si përfitimet nga kjo, por edhe rreziqet. Duhet ndërmarrë nisma të tilla, qoftë dhe ndryshimet e kodit rrugor, duke marrë parasysh të gjithë faktorët, jo vetëm të drejtën e pronës. Ata që nuk kanë dokumentacionin e pronësisë nuk mund t’i marrin monopatinat e sekuestruara.
Ka pasur disa konsiderata, ka pasur edhe konsultime me grupe si ato të biznesit që unë i kuptoj që janë të shqetësuar dhe duan të vijojnë aktivitetin ekonomik dhe të përfitojnë nga shitja e tyre, ka pasur edhe përfaqësues ligjorë apo organizata të cilat paraqesin argumentet e nevojshme për mbrojtjen e të drejtës së pronës. Por nga ana tjetër është shumë e nevojshme t’u japim zë të gjithë atyre të moshuarve, nënave me fëmijë, që duan të përdorin lirisht trotuaret pa qenë të kërcënuar nga persona të papërgjegjshëm.
– Paraardhësja juaj tha do vijojmë me rregullat dhe kemi ngecur te vendi ky duhet t’i lëmë të lëvizin.
Lamallari: Të them të drejtën, pasi jam njohur me shifrat e kam shumë të vështirë t’i injoroj ato, pasi do të ishte tradhti ndaj atyre të dëmtuarve. Jam shumë ngurrues të shkoj më tej me nisma ligjore pa pasur diçka të mirë menduar, pasi unë këtu jam për të mbrojtur jetën e qytetarëve.