Lidhja me lobistin amerikan, Evi Kokalari bën akuzën e fortë për Sali Berishën: Është i influencuar nga Rusia dhe hedh “vrerë” mbi SHBA

Aktivistja Evi Kokalari, e cila ka shpallur publikisht kandidaturën për të drejtuar Partinë Demokratike, ka bërë akuza të forta ndaj kreut aktual të PD-së, Sali Berisha, duke thënë se ai është i influencuar nga Rusia.

Duke bërë një kronologji të akuzave mes demokratëve lidhur me lobimet ruse, Kokalari shkruan se Berisha ka qenë pas çdo lëvizjeje që bënte ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha, duke përmendur edhe çështjet e lobimit rus.

Sa i përket Bashës, Kokalari thotë se ai mund të jetë shantazhuar nga Charles McGonigal për llogari të kryeministrit Edi Rama, që të mos zhvillonte një fushatë intensive në 2021.

Më tej, ajo përmend ardhjen në Shqipëri në 2025 të Paul Manafort, i cili loboi për PD, dhe thekson se kjo e shqetëson. Sipas saj, është vërtetuar që Manafort ka lidhje me oligarkun rus Oleg Deripaska.

Paul Manafort kishte bërë plane me Deripaskën që Rusia të merrte Ukrainën kur Trump të bëhej president. Ai është shumë i lidhur me interesin rus dhe gjithashtu lobist i heshtur për Dodik, duke punuar për të avancuar interesin rus në Ballkan“, shkruan Kokalari.

Nga kjo, Kokalari konkludon se Berisha duket të ketë qenë pjesë e influencës ruse, dhe kjo sipas saj, vërteton edhe vrerin e tij ndaj SHBA-së. Në fund, ajo bën thirrje që DASH të trajtojë këtë çështje.

Postimi i plotë i Kokalarit: 

“Follow the Money” (FTM) ka botuar një artikull para disa ditësh dhe lidh $500,000 e lobimit të Bashës në SHBA në vitin 2017 me Oleg Deripaskën.

Ky zhvillim është tejet interesant për shumë arsye. E para, Berisha në atë kohë ka qenë pas çdo lëvizjeje që bënte Basha kundrejt Ramës, duke përfshirë këtu edhe djegien e mandateve, siç e ka pranuar vetë Berisha në TV.

Ka dy detaje që realisht s’më lënë rehat — dhe e them këtë duke pasur parasysh që jo vetëm kam folur në foltoret e 2021 për $500,000 e lobimit të Bashës, por ky ishte një subjekt për të cilin Basha më hodhi në gjyq, por që më vonë e abandonoi si çështje.

Më vonë kam shkruar shumë gjatë për mikun e tij të ngushtë, Alptekin, i cili e lidhi pikërisht me Nick Muzin dhe që ishte partner me Gjeneral Flynn. Alptekin i pagoi $750,000 Flynn-it për ekstradimin e Gulenit, opozitarit politik të Erdoganit.

Flynn, është akuzuar se ka qenë pas “Russian Hoax”, që rezulton se nuk ishte fare “hoax”, dhe se Flynn, bashkë me disa të tjerë, ishin të lidhur mirë me rusët dhe infiltruan fushatën e Trump. Të vetmit që në atë kohë nuk kishin detaje ishin pikërisht Trump dhe mbështetësit e vërtetë të tij.

Një personazh tjetër që infiltroi fushatën e Trump dhe që ishte shumë afër me Oleg Deripaskën ishte edhe një nga personazhet që Berisha do t’i falej në ditët e tij të këqija — PAUL MANAFORT.

Jo vetëm që Berisha përdori për lobim në 2021 në SHBA ish-partnerin dhe mikun e ngushtë të Manafort-it dhe Roger Stone Jr., dhe kjo ndodhi kur Manafort ishte akoma në burg, por kur Manafort doli nga burgu, ky ishte pikërisht personi që Berisha punësoi për fushatën e 2025.

Akoma më ironik ishte fakti që Berisha gjatë fushatës sulmonte Ramën me një tjetër figurë shumë të lidhur me Deripaskën,  McGonigal, duke menduar se e shkuara e Manafort-it nuk do të arrinte të ekspozohej për publikun shqiptar.

Në fakt, të dy këta, Manafort dhe McGonigal, burgun e bënë për lidhjet e tyre me Oleg Deripaskën.

McGonigal, kur vinte në Tiranë, ishte gjithnjë në takime që lidhen me Deripaskën, më së shumti në Vjenë.

Gjithashtu, lidhja e McGonigal me Ramën ndodhi pikërisht sepse McGonigal donte të shtynte koncesionet e naftës për miqtë e tij, të cilët e paguan më vonë në SHBA (Neza + $250,000 cash).

McGonigal mund ta dinte shumë mirë nga Deripaska që Basha kishte marrë $500,000 nga vetë Deripaska, financim që kishte shkuar në xhepat e Nick Muzin-it dhe në lobimin në SHBA. Ndoshta ishte McGonigal ai që ofroi të hapte dosje për Bashën dhe t’i jepte favore Ramës në proces e sipër. Personalisht, gjithnjë kam ngritur pikëpyetje pse Basha nuk bëri fushatë në ditët e fundit në 2021 dhe kam menduar se Rama mund ta ketë kërcënuar me një dosje të FBI-së.

Një opsion tjetër mund të ishte që Ilir Meta, i cili njihej me McGonigal, Nezën, Duckën (kushëri) dhe partnerin e McGonigal, Rosini, mund të ishte ai që kishte shtyrë dosjen e Bashës. Ka gjithnjë një mundësi që Meta, me koalicionin me Bashën, dhe pas një fitoreje, do t’i hapte varrin politik Bashës dhe do të merrte PD-në.

E vetmja arsye pse Meta vendosi të bëjë koalicion me Bashën ishte pikërisht qëllimi për të marrë PD-në. Këtë u mundua të bëjë edhe në 2023 me koalicionin me Berishën dhe përpjekjen për të vendosur Këlliçin si kryetar, një nga “cloëns” që ai vërtet e sillte rreth gishtit.

Por t’i kthehem financimit të këtij lobimi për një sekondë:

Mbaj mend që kur kam folur për lobimet e Bashës, në një diskutim privat me strategun e Hasit, kisha dhënë indicie që këto lekë mund të ishin financim i rusëve, por çuditërisht jo vetëm që “strategu” e hodhi poshtë, por drejtoi gishtin nga një oligark i Tiranës që kishte mundësuar këto para.

Në fakt, oligarku të cilit i referohej “strategu” nuk e donte Bashën dhe kjo më bënte të dyshoja se nuk ishin oligarkët shqiptarë pas këtij financimi, por ata rusë. Por pyetja është: pse po mundohej të më manipulonte “strategu” për këtë detaj?

Çfarë dinte ai që s’duhej ta dija unë?

Mbërritja e Paul Manafort në Shqipëri më shqetësoi si në 2025, ashtu edhe tani, dhe e kam të vështirë të mos sjell në mend ç’kam dëgjuar nga shumë shqiptarë, sidomos nga Kosova, që Berisha i mundësoi Serbisë naftë kur aleatët e NATO-s po e sanksiononin për shkak të luftës pikërisht mbi një pjesë të kombit tonë.

Paul Manafort kishte bërë plane pikërisht me Deripaskën që Rusia të merrte Ukrainën kur Trump të bëhej president, pra Manafort është shumë i lidhur me interesin rus. Ai gjithashtu është një nga lobistët e heshtur për Dodik, duke punuar për të avancuar interesin rus në Ballkan.

Pra, nëse lidh pikat, del qartë që Berisha për dekada duket se ka qenë pjesë e influencës ruse. Kjo mund të shpjegojë shumë mirë vrerin që Berisha hodhi mbi SHBA në një TV të kontrolluar nga regjimi islamik i Iranit, apo bashkëpunimin e tij me Arafatin dhe Palestinën, që thuhet se një pazar i dështuar me ta e detyroi Berishën të fillojë skemat piramidale në Shqipëri.

Të gjitha këto më lart qartazi e portretizojnë Berishën si filo-serb dhe filo-rus, dhe aspak pro SHBA-së apo civilizimit perëndimor. Kjo është një temë që duhet trajtuar edhe në DASH, sidomos tani që ai përpiqet ende të mbajë peng PD-në.

PD-ja nuk mund të jetë vegël e influencës ruse, e cila ka zaptuar “të djathtën” në Evropë duke e financuar dhe duke e shtyrë atë drejt ekstremizmit që i shërben vetëm interesit rus në Evropë dhe SHBA.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT