Lajm i rremë për SIDA në Bashkinë e Gjirokastrës, Avokati i kryebashkiakut: Informacioni doli nga brenda institucionit dhe u përdor politikisht

Avokati Arben Llangozi ka reaguar ashpër ndaj lajmit të rremë të shpërndarë mbi kryetarin e Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, ku u aludua për një epidemi HIV/AIDS në institucion. Ai e cilësoi këtë një manipulim politik dhe shpjegoi se informacioni ka dalë nga brenda bashkisë, për shkak të vizitave mjekësore të kryebashkiakut në Shqipëri dhe në Janinë.

“Informacioni ka dalë nga brenda bashkisë për arsye sepse kryetari i bashkisë ishte duke kryer një sërë analizash dhe vizitash mjekësore edhe në Shqipëri, por edhe në qytetin e Janinës, në spitalin e Janinës, sepse në Shqipëri nuk është se po i jepnin rezultate spitalet shqiptare dhe ishte duke qenë se kishte afër dhe qytetin e Janinës, ishte transferuar për t’i kryer vizitat në atë vend. Në këto momente i është kërkuar që të kryhet kjo lloj analize. Atij dhe bashkëshortes janë futur në dijeni punonjësit e bashkisë dhe nga aty ka dalë sepse vetëm ata e dinin se ku ishte kryetari i bashkisë i kryente të tilla vizitash apo vizitat mjekësore të tij. Pra është një rrjet shumë i ngushtë dhe nga aty ka dalë edhe informacioni. Më pas është përdorur nga kundërshtarët politikë dhe është manipuluar komplet origjina e lajmit.”- tha Arben Llangozi për Euronews Albania.

Llangozi e cilësoi këtë si një hakmarrje të brendshme brenda Partisë Socialiste në qarkun Gjirokastër, e cila më pas u përdor edhe nga opozita për sulme politike:

“Pra një manipulim brenda llojit. Brenda llojit ka mendoj unë në shenjë hakmarrje të vjetra midis disa personave në Partinë Socialiste të qarkut Gjirokastër, por është përdorur edhe nga Partia Demokratike pastaj për të sulmuar kundërshtarët e tjerë politikë. Pra kështu e vlerësoj unë. Ajo ngelet për t’u vlerësuar më vonë nëpërmjet hetimit që prokuroria tashmë ka filluar.”-tha Arben Llangozi.

Avokati theksoi se kryetari kishte detyrimin moral dhe ligjor të informonte publikun, duke qenë se Gjirokastra është një qytet i vogël ku lajmet përhapen shpejt:

Ishte e nevojshme që kryetari të informonte publikun sepse duhet të njohësh logjikën dhe vendin, traditën e atij qyteti. Pra, kemi të bëjmë me një qytet shumë të vogël që njerëzit të njihen me njëri-tjetrin, krijohet lajmi jo vetëm publik, por lajmi përhapet edhe në të folur. Kështu që për këtë arsye kryetari i bashkisë vlerësoi që pikë së pari duhet të vlerësohej që qytetari të sqarojë për këtë situatë dhe të mos krijohej një pikëpyetje e qytetarit ndaj institucionit të bashkisë. Pra, qëllimi ka qenë informimi i publikut.”-tha Arben Llangozi për Euronews Albania.

Ai shtoi se deklarimi i një sëmundjeje ngjitëse nuk është i gabuar, por një detyrim për transparencë:

“Ndryshe nga shumë persona të tjerë, unë mendoj që një person që ka një sëmundje ngjitëse duhet ta ketë detyrim ligjor ta deklarojë për arsye sepse duhet të dinë dhe njerëzit rreth e rrotull atij për sëmundjet që ai ka, sepse duhet të sensibilizohemi si shoqëri. Ky lloj virusi nuk është se mund të shpërndahet vetëm nëpërmjet seksuale, ai mund të shpërndahet nëpërmjet mjekimeve që transfuzion gjaku apo nëpër klinika dentare. Kështu që vlerësoj që nuk duhen gjykuar njerëz që kanë një sëmundje të tillë. Deklarohet, për mendimin tim kjo nuk është e gabuar.”tha Arben Llangozi për Euronews Albania.

Ndërkohë, Bashkia e Gjirokastrës ka depozituar kallëzim penal në Komisariatin e Policisë ndaj shpërndarësve të panikut, duke e cilësuar lajmin si shpifje të rëndë.

“Liria e shprehjes nuk është liri të shpifesh. Jam pro çdo lloj gazetarie, por jo të hedhësh baltë,” përfundoi Llangozi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT