Krisma armësh tronditën Rrjollin pasditen e 18 prillit! Policia përgënjeshtroi ngjarjen, banorët flasin të sigurt: Nëse ngjarja nuk ndodhi pse policët u zhdukën brenda sekondave?

Të shtënat me armë për të cilat pretendohet se ndodhën para 4 ditësh në zonën e Rrjollit vijojnë  të mbesin “mister”, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar nga situata e ndodhur dhe të zhgënjyer nga Policia e Shtetit e cila përgënjeshtroi ngjarjen e rëndë.

Në një prononcim për mediat lokale, ka reaguar e irrituar banorja Luçiana Kokaj e cila tha se Policia e Shtetit të zbardhë sa më parë ngjarjen e të zbulohet nëse të shtënat me armë ishin kërcënim për banorët apo për punonjësit e Policisë.

Më tej Kokaj theksoi se Policia duhet të punojë për zbardhjen e plotë të ngjarjes e t’u besojë efektivëve të vet dhe jo rojeve të kompanisë private.

“Meqë nuk ka pasur krisma armësh, Policia e Shtetit të na sqarojë se pse u nis një furgon policie me gjithë efektivë brenda për në bregdet? Pse u ndalua një makinë e cila vinte nga bregdeti, e qytetarët që ishin brenda u shoqëruan? I ka parë i gjithë fshati, i morën dhe i çuan në komisariat. Këtë le të na sqarojë Policia, se nëse këta nuk kanë dëgjuar krisma armësh për çfarë po bëhen këto procedura?” u shpreh Luçiana Kokaj në fjalën e saj.

Banorët e Rrjollit kanë ngritur shqetësimin e tyre për disa të shtëna me armë të ndodhura para pak ditësh gjatë protestave të banorëve.

Nga ana tjetër blutë e Shkodrës kanë përgënjeshtruar ngjarjen për të cilën kanë njoftuar se nga dëshmitë e marra të të pranishmëve në vendngjarje nuk janë konfirmuar të shtëna me armë zjarri.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori për njoftim fakti, pasi dje shtetasja L. K. ka deklaruar në rrjetet sociale se ka dëgjuar të shtëna me armë në fshatin Rrjollë.  Menjëherë, shërbimet e Policisë që kanë qenë të dislokuara në fshatin Rrjollë kanë kryer kontroll të zonës, kanë pyetur rojet e kantierit të firmës së ndërtimit aty pranë dhe disa qytetarë të pranishëm në bregdet, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri” njoftoi Policia e Shkodrës para 4 ditësh.

Ndërsa në fjalën e saj banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj shprehet e sigurt se të shtënat me armë kanë ndodhur e për këtë ngjarje të rëndë është në dijeni dhe Policia e Shtetit. Ndaj ajo kërkon që kjo ngjarje të zbardhet, duke shtuar se as ajo, as banorët e Rrjollit nuk kanë gënjyer ndonjëherë.

“Banorët nuk kanë gënjyer në asnjë ditë të vetme që ditën e parë. Nuk kemi gënjyer që toka është e jona. Nuk kemi gënjyer se jemi dhunuar. Nuk kemi gënjyer se jemi marrë me forcë nga forcat e Policisë. Nuk kemi gënjyer se ka pasur krisma armësh. Pas deklaratës së Policisë ne ndihemi akoma më të kërcënuar” tha Luçiana.

Fjala e Luçiana Kokaj: Si çdo ditë jemi këtu të rruga në mal, nga ku herën e shkaur kemi dëgjuar krisma armësh. Indicia për këtë ngjarje nuk ka qenë nga reagimet në rrjete sociale, por nga policë që janë këtu. Sapo kanë dëgjuar krismat e armëve ata janë larguar menjëherë. Meqë nuk ka pasur krisma armësh, Policia e Shtetit të na sqarojë se pse u nis një furgon policie me gjithë efektivë brenda për në bregdet? Pse u ndalua një makinë e cila vinte nga bregdeti, e qytetarët që ishin brenda u shoqëruan? I ka parë i gjithë fshati, i morën dhe i çuan në komisariat. Këtë le të na sqarojë Policia, se nëse këta nuk kanë dëgjuar krisma armësh për çfarë po bëhen këto procedura?

Nuk kanë pasur nevojë që të pyesin punonjësit e sigurisë, ka pasur nevojë për të pyetur punonjësit e vet Policia. Ata kanë qenë këtu prezent, që i ka dëgjuar krismat njësoj si ne. Se kush i ka gjuajtur e për çfarë arsye, kjo është detyra e Policisë së Shtetit ta zbulojë e të nxjerrë në dritë të vvërtetën. A jemi kërcënuar ne apo punonjësit, këtë le ta zbulojë Policia e Shtetit. Jo të dalin në deklarata për shtyp e të përgënjeshtrojnë banorët. Banorët nuk kanë gënjyer në asnjë ditë të vetme që ditën e parë. Nuk kemi gënjyer që toka është e jona. Nuk kemi gënjyer se jemi dhunuar. Nuk kemi gënjyer se jemi marrë me forcë nga forcat e Policisë. Nuk kemi gënjyer se ka pasur krisma armësh. Pas deklaratës së Policisë ne ndihemi akoma më të kërcënuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT