Kontrata miliarda dollarëshe mes SHBA, Shqipërisë dhe Greqisë, ambasadorja amerikane flet nga Tirana: Vendi juaj, nyjë e rëndësishme në Ballkanin Perëndimor

Një marrëveshje strategjike me vlerë rreth 6 miliardë dollarë, që synon furnizimin e Europës Jugore me gaz natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara, ka shënuar një hap të ri në bashkëpunimin energjetik mes Shqipërisë, SHBA-së dhe Greqisë. Projekti parashikon një partneritet afatgjatë 20-vjeçar dhe zhvillim të infrastrukturës energjetike në rajon, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në këtë kuadër, ambasadorja amerikane  në Greqi, Kimberly Guilfoyle theksoi rëndësinë e marrëveshjes dhe rolit të Shqipërisë si një partner i besueshëm në rajon.

Gjatë fjalës së saj ajo u shpreh se Shqipëria po konsolidohet si një nyje e rëndësishme energjetike në Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes SHBA-së, Greqisë dhe Shqipërisë forcon sigurinë energjetike dhe stabilitetin rajonal. Sipas saj, projekti përfaqëson një hap konkret drejt rritjes së sigurisë dhe zhvillimit ekonomik në rajon.

“Çfarë nderi që gjendem këtu në Shqipëri, një partner i palëkundur i SHBA dhe një vend me rëndësi të jashtëzakonshme për Ballkanin dhe Europën, krah mikut tonë shumë të mirë, kryeministrit Edi Rama.

Është marrëveshja 6 miliardë dollarëshe për gazin e lëngshëm natyror, duke treguar se Shqipëria po tregon gjithmonë një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor. Në fakt, ky ndërveprim forcon sigurinë energjetike dhe sigurinë kombëtare në sektorin energjetik; begatia dhe mirëqenia shkojnë krah për krah. Presidenti Donald Trump ka qenë një kampion i zjarrtë i sigurisë energjetike.

Në fakt, administrata Trump e ka ngritur bashkëpunimin energjetik si një shtyllë në të gjithë botën dhe nënshkrimi i sotëm është një manifestim i prekshëm. Ndërkohë që flasim për fuqi rajonale dhe lidhjet mes Shqipërisë dhe SHBA, duhet të pranojmë rëndësinë e lidhjeve të forta Shqipëri-Greqi. Shqipëria dhe Greqia janë më shumë se fqinj; ndajnë interesa të sigurisë, lidhje të thella njerëzore dhe një bashkëpunim në rritje. Kur SHBA, Greqia dhe Shqipëria punojnë së bashku, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor përfiton.

Shqipëria është thelbësore për këtë vizion. Energjia, që është thelbi i kësaj marrëveshjeje, mbështet vizionin e Donald Trump dhe themelet për një paqe dhe prosperitet. Jam e frymëzuar nga ajo që kemi arritur deri më tani. Le të vazhdojmë të gjithë të punojmë së bashku për të rritur ekonomitë tona dhe për t’i sjellë njerëzit sa më afër njëri-tjetrit. Zoti ju bekoftë, Zoti bekoftë Shqipërinë, Greqinë dhe SHBA”, tha ajo.

Marrëveshja përfshin gjithashtu plane për rivitalizimin e qendrës energjetike në Vlorë, modernizimin e termocentralit ekzistues, rritjen e kapaciteteve gjeneruese me rreth 250 MW, si dhe ndërtimin e tubacionit Fier-Vlorë për lidhjen me rrjetin kombëtar dhe rajonal të gazit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT