“Jam i shokuar me të, kam gabuar”, Donald Trump sulmon Giorgia Melonin në mediat italiane: Ajo nuk do të më ndihmoj në luftë, Italia tani nuk do të jetë më njëlloj

“Jam i shokuar prej saj. Mendova se ishte e guximshme, por gabohesha”, tha Donald Trump në një sulm të paprecedentë ndaj Giorgia Melonit, kryeministres së Italisë, e cila dikur ishte një aleate e favorizuar.
Në komentet e bëra gjatë një interviste telefonike me të përditshmen italiane Corriere della Sera , Trump tha se ishte “i tronditur” që “Meloni nuk dëshiron të na ndihmojë në luftë” dhe vuri në dyshim qëndrimin e Romës mbi sigurinë energjetike, duke pyetur nëse italianët ishin të kënaqur me qeverinë e tyre “që nuk po bënte asgjë për të siguruar naftë”.
Komentet shënojnë një ndryshim të dukshëm në ton nga Trump, i cili vetëm një muaj më parë e kishte përshkruar Melonin si një “mike” dhe “një udhëheqëse të shkëlqyer”.
“Ajo nuk është më i njëjti person dhe Italia nuk do të jetë më i njëjti vend”, shtoi presidenti amerikan.
Mbështetja e Italisë për operacionet amerikane në Lindjen e Mesme kishte qenë tashmë e diskutueshme në Uashington, pasi Roma mohoi, në fund të marsit, përdorimin e bazës ushtarake siciliane të Sigonellës për dy fluturime të gatshme për luftime me destinacion Iranin.
Për më tepër, komentet e sotme vijnë në një moment të ndjeshëm për Romën, pasi Meloni së fundmi është distancuar nga Trump, duke i quajtur sulmet e tij kontraverse ndaj Papa Leos “të papranueshme”.
Trump gjithashtu pretendoi se nuk kishte folur me Melonin “për një kohë të gjatë” përpara se të kritikonte qasjen e saj ndaj bashkëpunimit transatlantik, veçanërisht brenda NATO-s. “Ajo nuk dëshiron të na ndihmojë me NATO-n, nuk dëshiron të na ndihmojë të heqim qafe armët bërthamore”, tha ai.
Opozita nxitoi të argumentonte se komentet tregojnë se kryeministrja italiane është gjithnjë e më e izoluar. “Meloni po braktiset edhe nga populli i saj, nga guruja e saj, nga udhëheqësi i saj”, tha ish-kryeministri Matteo Renzi në X, duke shtuar se “kolapsi i saj sapo ka filluar”.