Ish-Prokurori i Krimeve të Rënda: Prokuroria “të marrë për dore” Oficerin e Policisë Gjyqësore dhe të kontrollojë në terren certifikatat e sigurisë kundër zjarrit

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, ka folur për Euronews Albania duke theksuar rëndësinë e përdorimit të metodës së “eksperimentit hetimor” nga Prokuroria, për të verifikuar në terren kushtet e sigurisë kundër zjarrit në objektet e ndërtuara.
“Prokuroria le të marrë për dore një zjarrfikës, t’i hipi një automjeti zjarrfikës prokurori me gjithë Oficerin e Policisë Gjyqësore dhe të shkojë nëpër Tiranë dhe të thotë: Zotëri e ke licencuar këtë? I ke dhënë certifikatë sigurie për mbrojtje nga zjarri? Shumë mirë. Hajde të shohim a hyn dot, a ka akses mjeti i zjarrfikës këtu, a ka hidrante, a ka sistem alarmi, a ka të gjitha këto elementët e tjerë dhe pse ja ke dhënë ti certifikatën e MNZ-së këtij objekti. Kaq i thjeshtë është hetimi,” tha Beçi për Euroneës Albania.
Ai paralajmëroi se mungesa e reagimit institucional lë qytetarët “në dorë të Zotit”, ndërsa ngjarjet përsëriten pa nxjerrë asnjë përgjegjës.
“Populli në dorë të Zotit! Se po s’reagove kështu do mbetesh në dorë të Zotit. Nesër do ndizet një zjarr tjetër, do bëhet një hetim, do kalojnë tre muaj. E pati fajin shkëndija elektrike. Jo po ra miu ke kabina elektrike, bëri masë dhe kjo situatë do mbyllet. E thjeshtë fare. Bëj eksperiment hetimor përveçse këqyrje të dokumenteve,” u shpreh ish-prokurori.
Beçi kërkoi që prokuroria të mos tolerojë rastin aktual, por të kryejë një hetim të plotë mbi mënyrën e dhënies së lejeve të shfrytëzimit të pallateve dhe kushtet e ndërtimit në Shqipëri.
“Unë besoj dhe shpresoj që këtë rast mos ta tolerojë Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, që të kryejë një hetim të plotë për mënyrën sesi jepen lejet e shfrytëzimit të pallateve, mënyrën se si ndërtohen pallatet në Republikën e Shqipërisë, mënyrën se si i kanë dhënë leje kryetarët e bashkive në Tiranë ndër vite duke kufizuar në mënyrë totale daljet e emergjencave, distancat e sigurisë dhe çdo element tjetër që ka të bëjë me një emergjencë. Pallatet janë ngjitur njëri me tjetrin, duke mos pasur mundësi të kalojë njeriu, jo më automjeti i zjarrfikëses,” tha Beçi.
Ai shtoi se hetimi duhet të shtrihet edhe mbi shërbimin zjarrfikës, i cili ka dhënë leje për banimin e godinave shumëkatëshe pa shkallë emergjence, pa sisteme alarmI automatike.