Gjykata e Posaçme si televizion, pas Ilir Metës dhe Erion Velisë, edhe Arben Ahmetaj kërkon nga arratia që gjyqi i tij të transmetohet “live”

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është politikani i radhës që kërkon nga Gjykata e Posaçme, që procesi penal ndaj tij, të transmetohet drejtpërdrejt në media. Ashtu si Ilir Meta dhe Erion Veliaj më herët, tani edhe Ahmetaj kërkon “transparencë”.

Kërkesa e politikanit socialist që ka marrë azil në Zvicër për t’i shpëtuar procesit gjyqësor në Shqipëri, është bërë këtë të hënë nga avokati i tij mbrojtës, Henrik Ligori, në rastin e dosjes “Buka sh.a”.

“Të transmetohet live seanca. Publiku ta shohë procesin”, u shpreh avokati Ligori para trupit gjykues.

Kujtojmë se, më 7 dhjetor të 2023 Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet duke çuar në GJKKO dosjen në ngarkim të Arben Ahmetaj, lidhur me privatizimin e ish-ndërmarrjes së bukës. Ndaj tij u ngrit akuza për veprën penale “Shpërdorimit i detyrës”.

Dëmi konsiderohet në vlerën e 7 miliardë lekëve dhe Arben Ahmetaj akuzohet në këtë dosje për një firmë të lëshuar gjatë 2014, e cila i hapi rrugën privatizimit të shoqërisë përmes ankandit të aksioneve shtetërore.

Arben Ahmetaj ndodhet në arrati, pasi ka refuzuar përballjen me drejtësinë duke thënë se procesi dhe provat janë manipuluar, për ta goditur atë politikisht. Ai u shpall në kërkim nga SPAK pas hetimeve për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, ndërsa më vonë u zbardh dhe rasti “Buka”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT