FAKSIMILE/ Ilir Meta nxjerr DËSHMINË e bosit çek të CEZ në Shqipëri, thotë se SPAK është përpjekur ta fshihte: Folën me METE-n, prokurorët e bënë META

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka publikuar dëshminë e shefit çek të kompanisë CEZ në Shqipëri, e cila bashkë me DIA-n e Kastriot Ismailaj, firmosën marrëveshjen për mbledhjen e detyrimeve të energjisë elektrike në vendin tonë, më shumë se një dekadë e gjysmë më parë.

Meta publikon sot të plotë dëshminë e Josef Hejsek dhënë më 20 dhjetor 2011 para prokurorit nën betim, e vetmja dëshmi ku ai flet për DIA-n, përpara një organi të procedurës penale.

“Këtë deklarim të tij, prokurorët e SPAK-ut e fshihnin me këmbëngulje për një kohë të gjatë deri në seancën paraprake, kur e kuptuan që ne e dispononim këtë provë ligjore”, shkruan Presidenti i Partisë së Lirisë, teksa akuzon SPAK.

Ilir Meta thotë se ai dhe avokatët mbrojtës kanë këtë dëshmi dhe të gjitha dokumentet e tjera me vulë të OSHEE, sepse vite më parë ua ka vënë në dispozicion, siç e quan ai, një zyrtar i ndershëm i OSHEE.

“… fill pasi kishte dëgjuar që Edi Rama me të tijët po përgatisnin një intrigë për të përfshirë Ilir Metën te kjo aferë, siç u paralajmërua edhe në letrën zyrtare të ish-Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Z. Spartak Braho më 27 shtator 2015”, vijon Ilir Meta.

FAKSIMILE/ Ilir Meta nxjerr DËSHMINË e bosit çek të CEZ

Nga dëshmia e Josef Hejsek del se CEZ ka qenë në bisedime me Ministrinë e Ekonomisë, Transportit dhe Energjisë,, e njohur si METE, ndërkohë që sipas Ilir Metës, prokurorët e SPAK janë përpjekur ta lidhin me emrin e tij duke supozuar se METE kishte të bënte me METËN.

“Këtu tregohet se, jo vetëm procesi është bërë i hapur, por se vendimtare për vendimin që është marrë në Pragë kanë qenë referencat që janë paraqitur nga DIA e Uashingtonit, që sipas tyre kishte përvojë prej 4 miliard dollarë për mbledhjen e borxheve dhe garancitë që i ishin dhënë nga kompanitë amerikane në Çeki”, shkruan Ilir Meta.

Presidenti i Partisë së Lirisë thekson se do të vazhdojë të publikojë prova, që sipas tij tregojnë se kompania DIA e drejtuar nga Kastriot Ismailaj ka qenë një krijesë amerikane dhe as ka patur dhe as mund të kishte lidhje me Ilir Metën.

“Po kështu, po publikoj të plotë dëshminë e dhënë nga Z. Tomas Pleskaç i cili ka qenë shefi i Z. Hejsjek në Pragë, ku është marrë vendimi për lidhjen e kontratës CEZ-DIA dhe ku do të shikoni përgjigjen e tij me letërporosi dhënë SPAK-ut, në të cilën konfirmon se nuk ka asnjë dijeni për ndonjë lidhje mes tre personave, Ilir Metës, Qazim Tepshit dhe Kastriot Ismailaj”, vijon Ilir Meta.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT