EMRAT/ Grabitën kasafortën me sende me vlerë në një banesë, në pranga dy persona

Është finalizuar këtë të shtunë operacioni policor i koduar “Access”.

Në pranga kanë rënë dy persona, Andi Hasani dhe Agron Goxhaj, pasi vodhën një kasafortë me sende me vlerë në një banesë në rrugën “Zihni Sako”.

Lexo edhe :

Detaje/ Vodhën kasafortën në Tiranë, dy autorët rikthehen për të lënë armën, ja skema që përdorën
Të arrestuarit dyshohet se kanë kryer vjedhje edhe në Durrës dhe në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku kanë marrë sende me vlerë dhe shuma parash.

Sipas njoftimit zyrtar, është zbuluar edhe një ambient i kamufluar si biznes, ku dyshohet se njëri prej të arrestuarve modifikonte çelësa të ndryshëm për hapjen e bravave të apartamenteve.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit të marrë se në banesën e shtetasit R. O. ishte vjedhur një kasafortë me sende me vlerë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Access”, për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.

Si rezultat i operacionit, u identifikuan, u kapën në flagrancë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes dhe u vunë në pranga shtetasit A. H., 45 vjeç dhe A. G., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas, më datë 03.04.2026, u kapën në flagrancë menjëherë pasi kishin vjedhur një kasafortë, brenda së cilës kishte sende me vlerë dhe 1 armë zjarri me municion, e cila posedohej me leje nga pronari i banesës, në rrugën “Zihni Sako”.

Gjatë kontrollit në ambientin e përshtatur si biznes nga shtetasi A. G., u konstatua se ky shtetas modifikonte çelësa të ndryshëm për të mundësuar hapjen e bravave të apartamenteve.

Gjithashtu, këta shtetas dyshohet se kanë kryer vjedhje të shumave të parave dhe sendeve me vlerë në një banesë në Durrës dhe në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 2.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT