Edi Rama i besoi qarkun verior, kuksianët i shkruajnë deputetit Erion Malaj: Mos u merr me servilat që ke rrotull, se ata duan poste! Na ke ne të rinjtë që e duam Kukësin, Hasin dhe Tropojën

Deputeti socialist Erion Malaj është emëruar nga kryeministri Edi Rama si drejtues politik i Qarkut të Kukësit. Mirëpo, të rinjtë kuksianë thonë se Asambleja e PS atje ka dështuar sepse që në takimin e parë, Malaj është rrethuar nga socialistët që duan poste dhe kanë vetëm interesa personale.
“Asambleja e PS në Kukës rezultoi një dështim total. Që në nisje u pa qartë se disa njerëz janë ende të fokusuar vetëm te postet dhe drejtimet, ndërsa e vërteta në disa qendra dihet mirë: janë mbledhur të gjithë socialistët në një vend për të krijuar një perceptim të rremë fitoreje.
Erion Malaj, kërkoj nga të gjithë ata që kanë kontakte me ty të ta përcjellin këtë mesazh me dëshirën më të mirë. Që në start po merresh me ata që gjithmonë e kanë parë PS-në si një mundësi për servilizëm kolektiv dhe për interesa personale”, shkruajnë të rinjtë e Kukësit.
Përmes një llogarie në rrjetet sociale ku ngrenë problematika dhe çështje sociale të zonës së tyre, të rinjtë e qarkut verior i sugjerojnë deputetit të ri dhe tashmë drejtues politik i bashkive të qarkut Kukës, që të mbështesi të rinjtë, jo tek servilat.
“Dëgjova edhe për disa administratorë që kanë mbetur me hatër pas largimit, por besoj se është bërë më e mira që janë larguar. Një sugjerim për ty, Erion Malaj: merru me të rinjtë dhe mos u merr me disa që i kanë shërbyer çdo deputeti që ka ardhur, vetëm për interesa. I kemi me fakte, dhe ata i kanë harruar të gjithë, ashtu siç mund të të harrojnë edhe ty nesër.
Bëhu kërkues për investime për Kukës, Has dhe Tropojë, dhe mos u merr me “dorëzat e vjetra” që bëjnë si socialistë të ndershëm, ndërkohë që nuk kanë lënë gjë pa bërë ndaj qytetarëve. Edhe për këtë kemi shumë fakte”, vijon mesazhi i të rinjve të Qarkut Kukës për Erion Malaj.