Demokratët i nxjerrin Ervin Salianjit foton e 8 Janarit me shkop bejsbolli në duar: Ky je ti dikur, e sot me pabesi! Lufta nuk bëhet me deklarata në FB! Stekën e çove te Saliu (DEBATI)

Ish-deputeti  i “vetëpërjashtuar” nga strukturat e të djathtëve, ashtu si dhe Sali Berisha e ka thënë, reagoi mëngjesin e sotëm ku i ktheu përgjigje një për një të gjitha akuzave të liderit të demokratëve sa i përket lidhjeve të tij me persona me precedentë kriminalë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ervin Salianji i cilësoi qesharake akuzat e Berishës, i cili një ditë më parë tha se ish-deputeti kishte drekuar me Ergys Agasin dhe kërcënonte demokratët me Suel Çelën.

Madje më tej shtoi se vetë Berisha ka bërë pazare me kryeministrin Edi Rama. Por ky postim i Salianjit ka marrë edhe një sërë komentesh nga qytetarë e demokratë. Shumë prej tyre e kanë “duartrokitur”, ndërsa të tjerë i janë kthyer kundër, madje i kanë kujtuar edhe ngjarjet e 8 Janarit ku pati përplasje me mbështetësit e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.

Madje në një moment atë ditë ai u shfaq me një shkop bejsbolli në duar, të cilin e justifikoi më pas se e kishte përdorur për të thyer xhamat pasi në ambientet brenda selisë ishte hedhur gaz lotsjellës nga mbështetësit e Berishës asokohe.

Qytetarët i kanë kërkuar Salianjit që të ndryshojë mënyrën e komunikimit publik dhe të shmangë përplasjet e hapura brenda kampit demokrat. Sipas tyre, opozita duhet të funksionojë me diskutime të brendshme dhe jo me deklarata në rrjetet sociale, duke e akuzuar se kjo qasje po dëmton më tej Partinë Demokratike dhe po krijon përçarje mes mbështetësve.

Nga ana tjetër, Salianji ka vijuar akuzat ndaj strukturave drejtuese të PD-së, duke i cilësuar përgjegjëse për degradimin e opozitës dhe për mungesën e alternativës fituese ndaj qeverisë.

Demokratët i nxjerrin Ervin Salianjit foton e 8 Janarit me shkop bejsbolli

Komentet ne reagimin e Ervin Salianjit

Përplasja me qytetarët (Komentet e paredaktuara)

Qytetari: O Saliani kjo mënyra e të bërit opozitë opozitës në media është gabim i madh. Kjo ka qenë mënyra më e gabuar që ka shpartalluar këtë PD kështu.

Shikoni partinë përballë, ndodh çfarë ndodh, diskutimet dhe oponencat gjithmonë brenda partisë. Retorikën e fillove duke thënë nuk kam probleme me Sali Berishën por me kupolën drejtuese, tani stekën e çove te Saliu. Cilin verdikt tuajin të besojmë?

Dhe pyetja tjetër, nëse aspirata jote ishte drejtimi i PD-së pse nuk durove kur të gjithë e dinim se zgjedhjet ishin në prill-maj? A nuk do ishte goditje perfekte për kupolën dhe marrjen e PD-së, se të gjithë e dimë që ka nevojë për reformim PD-ja, por aftësinë për ta marrë deri tani nuk e ka treguar askush përveç Saliut, dhe pse? Sepse ju nuhat çdo lëvizje dhe ju provokon të bëni pikërisht atë që do ai…

Të sugjeroj këto deklarata shmangi, pasi janë shumë të dëmshme sepse ti nuk përfaqëson vetëm Ervin Salianjin, por atë X elektorat që të ka dalë në krah dhe janë bërë “armiq” të partisë. Lufta bëhet me struktura dhe me votë, jo me deklarata në FB.

Ervin Salianji: opozitë je ti, jam unë dhe mijëra demokratë që luftojmë qeverinë pa privilegje, unë po kritikoj qeverinë dhe ata të PD që marrin vendime për opozitën dhe që e kanë degraduar situatën në shërbëtorë të Ramës, këta janë e keqja e opozitës dhe kush nuk ka guxim t’u kërkojë largim është problem. Sa për kohën kur zgjedh kandidimin, kam kërkuar për 4 muaj me radhë ripërtëritjen e PD dhe pas 4 muajsh rezistencë për mosndryshim dhe sulm ndaj demokratëve që duan fitoren, e vetmja rrugë e mbetur është përballja me votë në proces zgjedhor. Thelbi është: a e bëjnë dot PD-në fituese? A mbahen premtimet?

Qytetari: Ky je ti dikur me shkop bejsbolli e sot me pabesi

Ervin Salianji: Pabesi është të premtosh largimin e Ramës dhe të qëndrosh aty për privilegje, pabesi është të shesësh kontribuesit, pabesi është të bësh biznes me Ramën në kurriz të Shqipërisë, pabesi është që deputetët t’i zgjedhë paraja dhe jo demokratët, pabesi është të jesh frikacak e të mos thuash të vërtetën që lidershipi aktual është i paaftë të fitojë. E këtë foton që ke nxjerrë nga sirtari i Sali kolltukut është e sqaruar, por një gjë u vërtetua: atëherë thashë që Sali nuk e sjell dot rotacionin dhe kjo u vërtetua.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT