Bordi i Transparencës shkon “kundër rrymës”, bie ndjeshëm çmimi i naftës në bursë, në Shqipëri rritet (SA KA SHKUAR)

Tregjet globale të energjisë kanë regjistruar sot një lehtësim të dukshëm, pas sinjaleve për rifillimin e dialogut diplomatik që synon t’i japë fund tensioneve në Lindjen e Mesme. Shpresat për një marrëveshje mes aktorëve kryesorë të konfliktit kanë ndikuar menjëherë në bursat ndërkombëtare të naftës, duke sjellë një rënie të çmimeve nën nivelin e 100 dollarëve për fuçi.
Brent Crude, standardi referencë i tregtimit ndërkombëtar të naftës, ka zbritur në rreth 98 dollarë për fuçi, duke reflektuar pritshmëritë për stabilizim të situatës gjeopolitike mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, kontaktet diplomatike mes palëve vijojnë, ndërsa palët shprehin sinjale të kujdesshme për një marrëveshje të mundshme. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani ka shfaqur interes për dialog, por ka theksuar se çdo marrëveshje nuk mund të përfshijë zhvillimin e armëve bërthamore nga Teherani.
Në këtë klimë lehtësimi në tregjet globale, pritej që edhe tregjet vendase të reflektonin të njëjtën prirje. Por zhvillimi në Shqipëri ka qenë i kundërt dhe Bordi i Transparencës na tregoi mesditën e kësaj të marte se shkon “kundër rrymës”.
Bordi i Transparencës ka vendosur sërish rritje të çmimit të naftës në tregun vendas. Nga 208 lekë për litër, nafta do të tregtohet tashmë me 215 lekë për litër, një vendim që bie ndesh me lëvizjet e bursave ndërkombëtare, të cilat po sinjalizojnë ulje të kostove të importit.
Bordi i Transparencës në datë 14 Prill 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 215 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 203 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 178 ekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 166 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 14 ora 15.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.