Bajza e Gruemira të përgatitura për “sezonin e hashashit”, VIDEO: 29 vjeçari i rriste fidanët në oborrin e shtëpisë, policët kapërcejnë murin dhe e ndjekin nëpër arë

Tre anëtarë të një familje nga fshati Bajzë i Malësisë së Madhe janë arrestuar nga shërbimet e Policisë, ndërsa dy të tjerë nga Gruemira janë proceduar penalisht dhe kryefamiljari është shpallur në kërkim.

Shërbimet e specializuara në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe dhe, të mbështetura nga Forcat e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Faza e parë”.

Si rezultat i operacionit, në fshatin Bajzë, u evidentuan një numër i konsiderueshëm filizash të dyshuar kanabisi, të kultivuar në platforma polistiroli, me qëllim kultivimin e tyre në tokë. Fidanët u shkatërruan, ndërkohë që një pjesë e tyre u sekuestrua nga grupi hetimor në cilësinë e provës materiale.

Si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale u arrestuan shtetasit: E. Q., 29 vjeç, B. Q., 23 vjeçe dhe A. Q., 26 vjeçe (familjarë), të tre banues në fshatin Bajzë.

Po në vijim të operacionit, në fshatin Gruemirë Çezmë, në një magazinë u konstatuan edhe disa platforma të tjera polistiroli, në të cilat ishin kultivuar filiza dhe fara narkotike të dyshuara kanabisi.

Për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi B. R., 52 vjeç, banues në fshatin Gruemirë Çezmë, dhe nisi procedimi penal për shtetaset E. R., 41 vjeçe, dhe Z. R., 75 vjeçe, banuese në këtë fshat.

Vijon puna për kapjen e shtetasit B. R., si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këto raste. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT