Arben Malaj si Erion Braçe, pasi shpalli kandidaturën për Vlorën: Sheshi te Shkolla e Marinës është bërë moçal, defekti prej javësh, pranë ujësjellësit por nuk e prek njeri

Politikani i majtë Arben Malaj ka nisur të ngrejë çdo ditë probleme dhe shqetësime të përditshme të qytetarëve të Vlorës, e ka bërë prej kohësh, por tashmë që ka shpallur kandidaturën si i pavarur për bashkinë e madhe të jugut, vëmendja është shtuar.

Ai ka publikuar një fotografi nga sheshi përpara ish-Shkollës së Marinës në zonën e Lungomares dhe thotë se aty prej javësh vazhdon të ketë një rrjedhje të madhe uji, 24 orëshe, e cila e ka shndërruar zonën në moçal.

Sipas Arben Malaj, shumë pranë është edhe një stacion ujësjellës, por askush nuk shqetësohet dhe nuk merr masa për riparimin e defektit. Një strategji aktivizmi dhe ngritje e shqetësimeve publike, ashtu siç po bën edhe Erion Braçe në Tiranë.

“Ndjesë, por Vlora kërkon më shumë përgjegjshmëri nga ndërmarrjet publike, por edhe më shumë përkujdesje nga të gjithë qytetarët. Këto foto të një “mocali” pranë ish Shkollës së Marinës janë tronditëse. Kjo rrjedhje uji 24-orëshe ka javë që vazhdon.

Këto humbje joteknike të ujësjellësit janë paratë tuaja që ju faturohen! Aty kalojnë çdo ditë punonjëset e pastrimit të bashkisë. Rrjedhja është shumë afër një stacioni të ujësjellësit. Aty kalojnë familjarë me fëmijët e tyre të vegjël dhe asnjë nuk shqetësohet.

Ndoshta, me hallet e tyre, të gjithë e shikojnë këtë si problemin më të vogël. Por nuk është ashtu! 

Nuk e di sa rrjedhje të tilla ka ujësjellësi dhe sa shumë ndërhyrje e vjedhje ka në rrjet. Një apel miqesore për qytetarët vlonjatë: Shqetësohuni për çdo keqpërdorim të ujit, dritave dhe hapësirave publike”, shkruan politikani Arben Malaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT