VIDEO/ Zhvendosen në “heshtje” 102 kontejnerët me mbetje toksike nga Porto Romano, nxirren nën masa të forta sigurie

Ditën e sotme janë zhvendosur 102 kontejnerët me mbetje toksike të kompanisë “Kurum International”, të cilët prej muajsh ndodheshin në zonën e Porto Romanos.

Burime për VNA bëjnë me dije se zhvendosja është kryer nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, pasi hapësira ku ishin depozituar kontejnerët është përfshirë në projektin e Portit të Ri Tregtar të Porto Romanos.

Procesi është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqesin mbetjet, të cilat dyshohet se përmbajnë substanca të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.

Këta kontejnerë u kthyen në Shqipëri pasi organizata ndërkombëtare “Basel Action Network” ngriti alarmin se ngarkesa e nisur drejt Tajlandës përmbante mbetje toksike të rrezikshme. Pas ndërhyrjes së autoriteteve ndërkombëtare, kontejnerët u bllokuan dhe më pas u rikthyen në vendin e origjinës.

Më 5 gusht të 2024,  “Basel Action Network”, ngriti alarmin se një anije gjigande kontenjerësh prej 175 mijë tonësh e linjës “Maersk” u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Toën në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë prej saj tek autoritetet vendase.

Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Netëork”, BAN, tha se anija “Maersk Campton” dhe një anije e dytë kontenjerësh e së njëjtës linjë, “Maersk Candor”, kanë ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontenjerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) me destinacion Tajlandën.

Sipas të dhënave të BAN, kjo nuk ishte dërgesa e parë me mbetje të rrezikshme nga Shqipëria drejt Azizë. Organizata shprehej asokohe se një dërgesë me mbetje të dyshuara të ngjashme u bllokua më herët këtë vit nga Agjencia e Doganave në Fangcheng të Kinës.

Bazuar në sinjalizimin e BAN, autoritet portuale i bllokuan në Singapor kontenjerët e nisur nga Shqipëria duke i nisur për t’i kthyer sërish në vendin tonë.

Prokuroria identifikoi dhe nisi hetimet ndaj kompanisë  “Sokolaj” shpk, një kompani import-eksporti mineralesh me qendër në Durrës në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj si eksportuese të kontenjerëve dhe kompaninë turke “Kurum International” sh.a si burimin e këtyre produkteve.

Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Durrësit për këtë çështje kanë çuar në firmosjen e 35 masave të sigurisë, ndërsa disa persona janë shpallur në kërkim, mes tyre përfaqësues të kompanive të përfshira në këtë skemë.

Rasti i 102 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme konsiderohet një nga skandalet më të mëdha mjedisore të zbuluara në vend, ndërsa pritet që autoritetet të japin më shumë detaje mbi vendndodhjen e re dhe mënyrën e trajtimit të tyre.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT