Të maskuar dhe të armatosur, tre persona i bëjnë “pritë” pronarit të MCN TV, Endri Meksi shkon në Polici: Më kanë kërcënuar me jetë

Një incident është regjistruar mbrëmjen e së dielës pranë ambienteve të televizionit “MCN TV”, ku pronari i kësaj medie, Endri Meksi është kërcënuar nga disa persona të maskuar.
Ka qenë vetë Meksi i cili ka depozituar një kallëzim pranë Policisë së Shtetit ku dhe ka bërë me dije se rreth orës 23:00, pranë godinës së televizionit është afruar një automjet tip “Audi” i bardhë, nga i cili kanë zbritur tre persona të maskuar dhe të armatosur. Sipas tij këta shtetas, të cilët nuk ka arritur t’i identifikojë, pasi e kanë kërcënuar janë larguar me shpejtësi.
Pas kallëzimit të bërë, policia ka nisur verifikimet për zbardhjen e ngjarjes. Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të disa bizneseve përreth, si dhe sistemin e kamerave të vetë televizionit, në përpjekje për të identifikuar autorët.
Nga këqyrja paraprake e pamjeve të sigurisë rezulton se automjeti tip Audi i bardhë është larguar me shpejtësi në drejtim të zonës së Saukut.
Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje.