Taksa “e fshehtë” e naftës: Në Shqipëri paguan më shumë ai që ka më pak

Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare është reflektuar menjëherë edhe në Shqipëri. Por përtej faktorëve globalë, debati ka nxjerrë në pah një problem më të thellë: mënyrën si aplikohet taksa e qarkullimit.
Në vend që të paguhet si tarifë periodike për automjetin, kjo taksë është e përfshirë në çmimin e karburantit. Praktikisht, çdo qytetar e paguan atë për çdo litër që konsumon. Ky model, edhe pse i thjeshtë për t’u mbledhur, ka një efekt të qartë: rrit çmimin final të naftës dhe e zhvendos barrën te konsumatori.
Në teori, parimi është “paguan më shumë ai që përdor më shumë”. Por në praktikë, sistemi rezulton regresiv. Ai godet më fort shtresat me të ardhura më të ulëta, të cilat shpesh e kanë makinën domosdoshmëri për punë dhe jetesë, sidomos në mungesë të transportit publik funksional.
Ndryshe nga modelet perëndimore, ku taksa diferencohet sipas fuqisë së mjetit, luksit apo ndotjes, në Shqipëri ajo aplikohet njësoj për të gjithë përmes karburantit. Kjo do të thotë se një qytetar me makinë të thjeshtë paguan proporcionalisht më shumë se dikush me mjet luksoz, vetëm sepse konsumon më shumë për nevoja bazë.
Ekspertët theksojnë se problemi nuk është thjesht niveli i taksës, por mënyra si ajo është ndërtuar. Shqipëria i ka ende strukturat për një sistem më të drejtë, si ai që aplikohej para vitit 2012, por zgjedh të mbajë një model që rëndon më shumë mbi ata që kanë më pak.
Ndërkohë, paradoksi thellohet edhe më tej: automjetet elektrike përjashtohen nga disa taksa dhe nuk kontribuojnë në këtë formë, edhe pse përdorin rrugët njësoj.
Në fund, ajo që nuk shfaqet qartë në faturë, taksa e fshehur brenda çmimit të naftës, është pikërisht ajo që rëndon më shumë mbi qytetarët./joq