SPAK i kërkon sot në Vlorë, “Sakati” dhe “Qorri” do të ekzekutoheshin për 500 milionë lekë, vajza e “Tik Tok” u tregoi prokurorëve planet e “Dakut”, i dashuri vrasës me pagesë u kap në Lungomare

Prokuroria e Posaçme ka hapur dosjen e parë për eksponentë të lartë të krimit të organizuar dhe grupet kriminale në qytetin bregdetar të Vlorës, me Inez Hajrullën që është shndërruar në subjektin e parë të zbatimit të ligjit, bashkë me mikun e tij Ervis Matodashaj.
“Sakati” dhe “Qorri” janë nofkat e dy shokëve për të cilët fundjavën e kaluar në Lungomare zbarkuan disa furgonë me specialë të RENEAS, por nga bastisjet te “7 Pallatet” rezultoi se ata ishin larguar.
Inez Hajrulla, djali i një biznesmeni në qytetin bregdetar, u ka mbijetuar disa atentateve dhe në të fundit ka mbetur i gjymtuar në gjymtyrët e poshtme, ndaj ka marrë dhe nofkën “Sakati”. Edhe Ervis Matodashaj është krahu i tij i djathtë dhe nga përgjimet e “SKY ECC”, është zbuluar se ata kanë porositur dhe ekzekutuar Gentjan Qarrin, 5 vite më parë.
Dy vite e gjysmë më parë, “Sakati” dhe “Qorri” i shpëtuan vdekjes falë një aksioni të befasishëm të Policisë së Vlorës në zonën e Lungomares.
Amarildo Nikolli, një vrasës me pagesë i njohur në qarqet kriminale, kishte marrë përsipër të ekzekutonte Inez Hajrullën dhe mikun e tij Ervis Matodashaj në bazën e tyre, por lëvizjet e çuditshme të tij ranë në sytë e ushtarëve të grupit dhe u njoftua Policia.
Vrasësi i kontraktuar ra në pranga dhe në çantën e shpinës, efektivët i gjetën një armë zjarri pistoletë me plumb në fole gati për qitje, silenciator dhe doreza. Siç SPAK arriti të provonte më vonë, rezultoi se Amarildo Nikolli do të merrte 500 milionë lekë të vjetra për dy vrasjet dhe paratë do të jepeshin nga Leonard Luzi (i njohur si Daku apo Nard Çami).
Dëshmia e Xhovana Nikollit, vajza e njohur në rrjetet sociale për historinë e saj të dashurisë me vrasësin me pagesë Amarildo Nikolli, është përdorur nga SPAK për të kopsitur dosjen e atentatit të dështuar ndaj Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashaj.
Veç vrasësit me pagesë që u pendua kur u arrestua nga Policia e Vlorës teksa shkonte të kryente vrasjen, SPAK ka administruar dhe dëshminë e partneres së tij, Xhovana Nikolli e cila ka treguar me detaje planin e ekzekutimin.
“…unë e njoh Leonard Luzin, dhe se në një rast kam dëgjuar një bisedë të Leoanrdit me Amarildon, kur ishte tek shtëpia në Vlorë, ku Leonardi i kërkonte që nëpërmjet Amarildos të vriste dy persona që ai i quante “Ini” dhe “Qorri…”, ka deklaruar Xhovana Nikolli.
Dëshmia e Xhovana Nikollit u zbardh në Maj 2025, një ditë pasi Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi dënimin me 10 vite burgim Leonard Luzin, me 2 vite e 9 muaj bashkëpunëtorin e drejtësisë Amarildo Nikolli dhe me 6 vjet e 8 muaj Muharem Koroveshin.
Të tre personat së bashku me personin e shpallur në kërkim Erio Zejno, në muajin Gusht 2023 u mobilizuan për të vrarë Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn.
“…Gjithashtu gjatë qëndrimit tonë në Vlorë, kam mësuar se Leonardi kishte dhe dy shokë të quajtur njëri me pseudonimin “fshatari” dhe një tjetër që quhej “Erjo”. Erjon e mbante më afër dhe duhet ta kishte kushëri ndërsa “fshatarin” e mbante pak më larg.
Këta dy persona vinin çdo mëngjes tek shtëpia në Vlorë dhe pinin kafe. E merrnin poshtë tek lokali dhe ngjiteshin sipër tek shtëpia jonë.
Mbanin armë pistoletë si Leonardi, “fshatari” dhe Erjo. Këto gjëra unë i kam dëgjuar nga Erjo, “Daku” dhe “fshatari”. “Fshatari” dhe Erjo kishte raste që pastronin armët në shtëpinë tonë, ku rrinim në Vlorë…”, ka deklaruar Xhovana Nikolli para prokurorëve të SPAK.