“Situatën e kemi jashtëzakonisht mirë”, Korreshi ironizon gjendjen në Lushnje: Rrofsh moj qeveri që na e ngrite… naftën

Gjatë seancës së sotme parlamentare në Kuvend, deputeti Saimir Korreshi tha se një nga problematikat më të mëdha të qytetit të Lushnjës është furnizimi me energji elektrike.
Ai, me tone humori dhe ironia tha se me rritjen e çmimit të naftës bujqit janë të tejngopur më tollonat falas dhe tani do të punojnë në parmendë. Ai bëri thirrje që të lidhen dy fije elektrike në Lushnje sepse nga ora 19:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit Lushnja është pa drita.
“Situatën e kemi mirë, jashtëzakonisht mirë. Më mirë nuk ka! E dini ç’do të thoshte një shoku im kur dëgjova këto parafolëset, lërini more dokrrat! Lërini more mendimet e thella apo fjalët e mëdha! Ku rroni o burrë i dheut sikur s’rrojmë bashkë në Lushnje me Antonetën. Si tha, elektriku, kemi bërë zhvillime. Hajdeni more aman na jepni dy fije elektrik nga Lushnja se gjithë fshatrat nga ora 7 pasdite deri në 6 të mëngjesit ikin dritat. Na e zgjasni edhe një çikë ne kabllin se po hamë bukë në errësirë. Rrofsh mi qeveri që na e ngrite… naftën sepse u lodhën të shkretët bujq, i mbushët me naftë, bamp, jepni naftë e s’kishin ku ta harxhonin! Më mirë tani direkt parmendë edhe ohoho, e fjetëm mendjen!”, tha Korreshi.
Deputeti Korreshi shtoi se duhet hequr etiketa “ujë i pijshëm” dhe të zëvendësohet me “ujë jo i pijshëm”, Ai nuk la pa përmendur edhe gjendjen ne Spitalin e Lushnjës duke ironizuar se mungojnë aparaturat dhe se nuk mund të vazhdohet si në vitin ’70, “me te prekme” se mungon aparati.
“Pikërisht për të larë atë baltën që hedhim ne të opozitës, nuk lahet me ujë me m*t që jep ujësjellësi. Ose hiqini etiketën dhe thoni jo ujë të pijshëm, për ujë për qenef se ne paguajmë për ujë të pijshëm”, vijoi Korreshi.