“Shtet që mbështet dhe sponsorizon terrorizmin”, Kuvendi voton nesër rezolutën kundër Iranit

Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë ditën e nesërme një rezolutë “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”.

Lajmi u konfirmua nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, në rrjetet sociale, që njoftoi se rezoluta është urgjente. Për këtë në mëngjes pritet që detajet për projekt-rezolutën të jepen në një mbledhje të Konferencës së kryetarëve, e cila do ta fusë nismën në rendin e ditës.

Më pas do të jetë komisioni për punët e jashtme që do të japë miratimin e tij për t’ia kaluar atë seancës plenare që është thirrur në orën 10.

Nisma u paralajmërua nga kryeministri Rama, ndërsa në rezolutë theksohet se Republika Islamike e Iranit, përmes institucioneve të saj shtetërore, përfshirë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) dhe strukturat e lidhura me të, ka mbështetur dhe koordinuar aktivitete që destabilizojnë vende në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Drafti përmend edhe sulmet kibernetike me të cilat u përball Shqipëria në vitin 2022, por edhe përpjekjet e ditëve të fundit ndaj sistemeve të Kuvendit të Shqipërisë.

Në rezolutë dënohen me termat më të ashpër veprimet e Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit që mbështesin, mundësojnë ose kryejnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës, si dhe shpreh solidaritetin e plotë me vendet mike të Gjirit Persik dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestuar nga aktiviteti terrorist i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës Islamike të Iranit.

Shqipëria dënon aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe entiteteve të lidhura me të për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste, forcave të armatosura përfaqësuese dhe operacioneve destabilizuese.

Seanca e së mërkurës ka shkaktuar edhe përplasje mes palëve, pasi deputetët e PD-së deklaruan bojkotin e seancës, pasi thanë se ajo nuk ka rend dite dhe po përdoret si fasadë nga qeveria. Në krahun tjetër Balla shprehu keqardhje dhe ftoi opozitën të reflektojë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT