Shqipëria shpalli Iranin “shtet sponsor të terrorizmit”, kryetari i Parlamentit të Izraelit falenderon Edi Ramën: Je shembull për bashkësinë ndërkombëtare

Amir Ohana, ministër në qeverinë izraelite dhe kryetar i Parlamentit atje, ka falenderuar Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama, për rezolutën që vendi ynë miratoi këtë javë, për shpalljen e Iranit “shtet sponsor të terrorizmit”.
Ai thotë se me këtë vendim, vendi ynë ka treguar guxim dhe përkushtim ndaj drejtësisë, ndërsa Edi Ramën, Amir Ohana e cilëson si një lider shembull për bashkësinë ndërkombëtare.
“Kryeministri Edi Rama dhe Parlamenti i Shqipërisë treguan sot guxim, qartësi morale dhe përkushtim ndaj drejtësisë. Lidershipi juaj jep një shembull të rëndësishëm për bashkësinë ndërkombëtare. Faleminderit”, shkruan Amir Ohana.
Kuvendi i Shqipërisë e miratoi të martën një rezolutë për shpalljen e Iranit “shtet sponsor i terrorizmit” dhe shtet që përdor mjete terroriste. Ajo u miratua me 79 vota për, një abstenim ndërsa opozita nuk mori pjesë në seancë.
Përmes kësaj rezolute, Shqipëria dënon veprimet e Republikës Islamike të Iranit që, sipas dokumentit, mbështesin dhe mundësojnë akte terrorizmi, operacione hibride dhe aktivitete destabilizuese në rajone të ndryshme të botës, si dhe shprehet solidaritet i plotë me vendet mike të Gjirit Arab dhe me Turqinë, të cilat janë shënjestruar ditëve të fundit nga Irani.
Gjithashtu, dënohen edhe sulmet kibernetike të kryera kundër institucioneve të Shqipërisë, përfshirë sulmin e vitit 2022 ndaj infrastrukturës shtetërore dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit.