Serbia bleu armë dhe raketa, ministri i Mbrojtjes së Kosovës i shqetësuar: NATO duhet ta marrë seriozisht

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka deklaruar ditën e sotme se raketat e reja që ka blerë së fundmi Serbia janë kërcënim për Ballkanin.
Sipas Maqedoncit kjo është hera e parë që Beogradi bën këtë “lëvizje”, dhe se këto raketa janë sulmuese dhe jo mbrojtëse.
“Këto raketat e fundit e kanë natyrën e raketave që janë të dizajnuara për sulme dhe duke qenë të tilla paraqesin kërcënim jo vetëm për Republikën e Kosovës, por për gjithë rajonin e Ballkanit. Kjo po tregon edhe më tej qasjen hegjemoniste të Serbisë dhe tentativën për të dominuar në aspektin ushtarak, ekonomik, por në aspekte të tjera në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Maqedonci.
Sipas tij kjo hedh poshtë pretendimet e Vuçiç se ai po kërkon të mbrohet nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia.
“Arsyetimet që bëhen nga krerët e shtetit në Serbi, se këto furnizime po bëhen për shkak që siç thonë ata po ndihen të kërcënuar nga marrëveshja trilaterale mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nuk qëndrojnë sepse këto blerje nuk janë duke u bërë vetëm prej periudhës kur e kemi bërë nënshkrimin e marrëveshjes trilaterale, por janë bërë edhe më herët”, tha Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës tha gjithashtu se është e rëndësishme që NATO ta marrë seriozisht këtë çështje.
“Është me rëndësi që NATO ta marrë seriozisht jo vetëm këtë blerje por krejt militarizimin e Serbisë dhe të diskutojë seriozisht për këtë çështje”, nënvizoi Maqedonci.