Qytetari “i kërkon llogari” Sali Berishës: Kam denoncuar tre efektivë policie, pse nuk më keni mbështetur?! Pas këtij denoncimi jeta ime është në rrezik

Gjatë foltores së mbajtur sot në qytetin e Durrësit, një demokrat i pranishëm iu drejtua liderit të partisë me një pyetje kritike: Pse denoncimi i bërë prej kohësh prej tij nuk ka marrë ende mbështetje?
Pas përfundimit të fjalës së Sali Berishës, qytetari kërkoi llogari, duke theksuar se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga demokratët lidhur me denoncimin e tij për tre efektivë të qarkut Mirditë, të cilët sipas tij janë të përfshirë në veprimtari kriminale.
“Hapeni Partinë Demokratike me njerëz që kanë vlera konservatore. Keni sa të doni njerëz që janë konservatorë, që duan atdheun, familjen dhe kombin. Do të bëj një denoncim që kam dashur ta bëj në Mirditë. Do t’ju kërkoj ndjesë të gjithëve. I kam thënë PD-së, dega Mirditë, dhe deputetëve të qarkut Lezhë; asnjë nuk ka reaguar. Kanë tre kriminelë në komisariatin e policisë Mirditë.
Nga ky denoncim jam shpallur dy herë në kërkim. Mbase pas kësaj foltoreje ose policinë do ta kem te shtëpia, ose breshëri plumbash nga shefat e tyre. Arben Marku ka dhunuar në mënyrë sistematike minatorët e Spaçit, askush nuk ka denoncuar asnjë. Preng Kaçorri, falsifikator dhe dekonspirues, dhe Llesh Manreja, që është bashkëpunëtor. Ia kam çuar AMP-së dhe PD-së, nuk kanë reaguar”- u shpreh qytetari.