Propozimi i Ramës, Presidenti dekreton 7 ndryshimet në qeveri

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot, 4 mars, ndryshimet e reja në qeveri të propozuara nga kryeministri Edi Rama.

Fillimisht ai ka shkarkuar nga detyra Belinda Ballukun si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Elisa Spiropalin si ministre për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Pirro Vengun si ministër i Mbrojtjes. Shkarkime edhe për Albana Koçiun, Besfort Lamallarin dhe Toni Gogun, por vetëm për t’u zhvendosur në drejtimet e disa dikastereve të reja.

Më konkretisht Albana Koçiu do të kalojë nga Ministria e Brendshme në postin e zv/kryeministres. Ferit Hoxha do të zëvendësojë Elisa Spiropalin si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Besfort Lamallari do të kalojë nga drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë në atë të Punëve të Brendshme. Ai do të zëvendësohet nga Toni Gogu.

Ky i fundit i cili deri dje mbante postin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin do të zëvendësohet nga Erjona Ismaili. Në qeverinë Rama 4 do të ketë vend edhe për dy emra të rinj. Enea Karakaçi do të zëvendësojë Belinda Ballukun si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë ndërsa Ermal Nufi si ministër i Mbrojtjes.

Procedura kushtetuese parashikonte 7 ditë afat për dekretimin e shkarkimeve dhe emërimeve të reja në kabinetin qeveritar, të cilat më pas kalojnë për votim në Parlament, ku për miratimin e tyre nevojiten 71 vota.

Pas votëbesimit në Kuvend, ministrat e rinj betohen tek Presidenti Begaj për të marrë detyrën e re.

Shkarkimet dhe emërimet e ministrave të rinj u njoftuan në mbledhjen e përbashkët të grupit parlamentar të Partisë Socialiste me kabinetin qeveritar që u mbajt më 26 shkurt.

NDRYSHIMET NË KABINETIN QEVERITAR

Emërohen në detyrë:

Albana Koçiu, Zëvendëskryeministër;

Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;

Besfort Lamallari, Ministër i Punëve të Brendshme;

Ermal Nufi, Ministër i Mbrojtjes;

Toni Gogu, Ministër i Drejtësisë;

Enea Karakaçi, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;

Erjona Ismaili, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Largohen nga qeveria

Belinda Balluku si Zëvendëskryeministre dhe Ministre i Infrastrukturës dhe Energjisë;

Elisa Spiropali si Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme;

Pirro Vengu si Ministër i Mbrojtjes;

Back to top button
LAJMET E FUNDIT