PE përfshin dhunën e PD dhe rastin Balluku në amendamentet e raportit për Shqipërinë

Mbi 300 amendamente janë kërkuar nga një grup deputetësh të Parlamentit Europian, lidhur me projekt-raportin e vitit 2025 për Shqipërinë. Bien në sy ato që lidhen me klimën në Parlament, Reformën në Drejtësi dhe çështjen Balluku.
“Shpreh shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm dhe diskursin konfrontues politik, që minojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin e publikut dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike. Protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale”, janë shprehur raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder dhe 5 eurodeputëtë të tjerë në amendamentin numër 84.
Amendamenti 114 thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe pavarësisht përparimeve “Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatin e hetimeve, ndjekjeve dhe dënimeve përfundimtare, sidomos në rastet e korrupsionit në nivele të larta”. Në këtë amendament përmenden ligjet kyçe anti-korrupsion dhe kërkohet “zbatimi i tyre i plotë”.
Në amendamentin 111, eurodeputeti Ivaylo Valchev “shpreh keqardhje” lidhur me sjelljen e Kuvendit në rastin imunitetit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Më 26 shkurt, në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, u prezantua draft-raporti për progresin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt unionit.