Një muze me shtëpi të vjetra të Tiranës, e një muze arkeologjik nëntokë te sheshi Nënë Tereza, dy projektet e reja të Ramës

Arkitektura ka qenë një përbërës kyç në rilindjen kulturore të Shqipërisë, e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i cili është shpallur anëtar nderi i vitit 2026 nga Royal Institute of British Architects (RIBA). Vanessa Norëood bisedoi me të për nismat e shumta që lidhen me mjedisin e ndërtuar.
Shqipëria po shfaqet me shpejtësi si një lider global në imagjinatën arkitekturore. Deri në fund të viteve 1980, nën sundimin komunist, ky ishte një nga vendet më të izoluara në botë, çka e bën transformimin e saj edhe më të jashtëzakonshëm. Në qendër të këtij ndryshimi është Edi Rama, një njeri që ka jetuar disa jetë: si artist, basketbollist, ministër i Kulturës, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe tani si kryeministër.
Që në fillim të karrierës së tij politike, Rama përdori kulturën si katalizator për ndryshim pozitiv, duke sfiduar kritikët që mendonin se bota e krijimtarisë ishte jashtë sferës së politikës. Ai është një nxitës dhe provokues. Si kryetar bashkie, ai u bë i njohur për rilyerjen e ndërtesave gri të epokës komuniste në Tiranë me ngjyra të ndezura, një gjest që synonte të zgjonte krenarinë qytetare. Ai ka qenë dhe mbetet i pamëshirshëm ndaj ndërtimeve pa leje që kanë dëmtuar vendin.
Rama ka hapur gjithashtu ndërtesën e qeverisë për publikun, duke instaluar vepra nga artistë ndërkombëtarë, përfshirë një strukturë ndriçuese me neon në hyrje nga artisti francez Philippe Parreno. Shtesa më e re, një strukturë shumëkatëshe me skelet druri e quajtur “Garden”, nga arkitekti Chris Precht i studios austriake Studio Precht, krijon një zemër të re sociale për ndërtesën. Shqipëria tashmë ka një koleksion veprash të ndërtuara dhe projekte të planifikuara nga arkitektë të nivelit botëror, nga MVRDV te Ricardo Bofill. Shpejtësia e ndryshimit është aq e madhe sa mund të imagjinohet se Rama është i shtyrë nga hija e së kaluarës së vendit të tij.
“Nuk mendoj për këtë, por është padyshim diku në prapavijën e mendjes sime”, thotë ai. “Pa dyshim që diçka nga ajo e kaluar ushqen edhe shtysën për të bërë gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më shpejt. Është si të vraposh drejt së ardhmes dhe të kesh frikë nga një hap pas. Kjo është arsyeja pse flas shpesh për rrezikun e rënies prapa dhe humbjes së ritmit, për të parë gjërat të kthehen mbrapsht, jo drejt komunizmit apo izolimit, por drejt diçkaje të turbullt që nuk bën asnjë ndryshim”.
Ndërsa Shqipëria lëviz drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, Rama është i vetëdijshëm se arkitektura luan një rol të rëndësishëm në një transformim që duhet të jetë më shumë se thjesht fizik.
“Kjo është diçka që është e vështirë të shpjegohet dhe shpesh keqkuptohet”, thotë ai. “Njerëzit duhet ta shohin këtë si një ndryshim fizik, por nuk është thjesht fizik në kuptimin që ‘ok, kjo pjesë e trupit të qytetit po ndryshon, por kujt i intereson”? Ai citon shprehjen: “Ne ndërtojmë ndërtesat dhe më pas ndërtesat na ndërtojnë ne”.
Rama beson se ekspozimi ndaj praktikave globale mund të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e profesionit vendas. “Këta arkitektë ndërkombëtarë punojnë me studio lokale”, thotë ai, “dhe arkitektët vendas kanë mundësinë jo thjesht të bëjnë një praktikë si të rinj anonimë në një studio me 300 njerëz. Ata kanë privilegjin të jenë partnerë me këta emra të mëdhenj, të marrin pjesë në krijim dhe ndërtim dhe të mësojnë”.
“Pra nuk është vetëm fakti që kemi përqendrimin më të madh të arkitektëve ndërkombëtarë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend, por është përqendrimi më i madh i dijes, që e bën Tiranën një universitet në ajër të hapur për njerëzit tanë”.
Festivali i parë “Bread and Heart”, i mbajtur në qershor 2025, e pozicionoi më tej Shqipërinë si një laborator të gjallë idesh për arkitekturën. I konceptuar si një festë e mikpritjes shqiptare dhe e zhvillimit të saj përmes arkitekturës dhe dialogut, eventi u emërtua në nder të traditës shqiptare të pritjes së mysafirëve me bukë, kripë dhe zemër.
Festivali mblodhi shumë nga arkitektët ndërkombëtarë që punojnë në vend, të cilët Rama i quajti “ushtria e arkitektëve”. Në diskutimet publike morën pjesë fitues të çmimit Pritzker Architecture Prize si Carme Pigem nga RCR Arquitectes, arkitekti kilian Alejandro Aravena, arkitekti japonez Toyo Ito dhe arkitektët portugezë Álvaro Siza dhe Eduardo Souto de Moura.
Pas kësaj u zhvillua një ditë punëtorish, ku arkitektët punuan në grupe të vogla për të propozuar parametra për zhvillimet e ardhshme.
“Ishte e jashtëzakonshme të shihje arkitektët në tavolina të ndryshme, si fëmijë që vizatonin”, thotë Rama. “Ishte diçka unike dhe e bukur, dhe ata duan ta përsërisin”. Edicioni i dytë do të zhvillohet në Tiranë në qershor.
“Do të thosha se këtë nuk e kemi parë askund tjetër”, vëren ai, “dhe u preka shumë. Dëgjoja arkitektë që përmendnin anën njerëzore të historisë së festivalit dhe thoshin: Dëgjo, ne e njohim njëri-tjetrin dhe takohemi shpesh, por zakonisht kur japim mësim në të njëjtin vend apo kur konkurrojmë, nuk takohemi kurrë në këto numra vetëm për të ndarë kohë, për të ndarë ushqim, për të ndarë përvojë”.
Kjo ndjenjë komuniteti nuk ndodhi rastësisht, thekson Rama. “Nuk u ndërtua nga hiçi; në fakt ishte si të ngresh një çadër në një fushë që ishte bosh”.
Rama vëren se ekspozimi ndaj arkitekturës së shkëlqyer po krijon një ndikim pozitiv sistemik në vend, së bashku me rregullim më të rreptë të ndërtimit.
“E shoh shumë qartë se sa shpejt dhe sa shumë po ndryshon cilësia e projekteve lokale”, thotë ai, “sepse ne nuk e kemi bërë të pamundur për vendasit; e kemi bërë më të vështirë, por kur ata vijnë me projekte të vogla, sheh që janë ndryshe dhe mendojnë ndryshe, sepse talenti është aty”.
Ndër projektet e reja ambicioze që po zhvillohen në Shqipëri është edhe “Faith Park”, një projekt fitues i një konkursi ndërkombëtar nga studioja Bjarke Ingels Group (BIG), për një park publik prej 200,000 m² që pasqyron “harmoninë fetare që e karakterizon Shqipërinë”. Parku do të shtrihet në kodrat e Petrelë, pranë kryeqytetit, dhe do të ofrojë një hapësirë për aktivitete që “angazhojnë dhe bashkojnë komunitetet”.
Në Tiranë, një nismë e qeverisë synon t’i japë jetë të re arkitekturës së trashëgimisë duke ripërcaktuar vetë idenë e muzeut.
“Po planifikojmë një muze të shpërndarë, pra një muze që në fakt nuk është një muze i vetëm, por një zinxhir shtëpish të vjetra”, shpjegon Edi Rama. “Për ta vizituar, kalon nga një pjesë e qytetit në një tjetër, pastaj në një tjetër, dhe çdo shtëpi është vazhdimi i kësaj historie. Këto shtëpi janë trashëgimia jonë që duam ta mbrojmë”.
Një tjetër projekt i planifikuar do të krijojë një muze të ri nëntokësor. “Ne kemi marrë vendimin për të ndërtuar parkim nëntokësor poshtë Sheshit Nënë Tereza”, thotë Rama, “dhe tani kemi vendosur ta konceptojmë këtë parkim në mënyrë që të jetë, në të njëjtën kohë, edhe një muze arkeologjik. Besoj shumë se do të jetë diçka e jashtëzakonshme”.
Në samitin Future Hospitality Summit 2025 në Dubai dhe në panairin ndërkombëtar të pasurive të paluajtshme MIPIM 2026, Shqipëria u largua nga modeli i zakonshëm dhe monoton i stendave korporative, duke zgjedhur të përfaqësohet në mënyrë më krijuese. Pavijoni i saj “Soundscapes of Albania”, i konceptuar në bashkëpunim me studion Studio Precht, paraqiti në mënyrë lozonjare projektet që po zhvillohen në Shqipëri në formën e një dyqani disqesh, ku kopertinat e vinileve shfaqnin projektet e reja të shoqëruara me “kolona zanore” të lumenjve, cicërimave të zogjve dhe muzikës tradicionale e bashkëkohore shqiptare.
Duke i shpëtuar mbindërtimit shkatërrues që karakterizoi resortet bregdetare të Europës në vitet 1970 dhe 1980, Shqipëria po përpiqet sot t’i përgjigjet rritjes së numrit të vizitorëve përmes një zhvillimi të menduar dhe të qëndrueshëm.
Ndër mbështetësit e hershëm të vizionit të Ramës ishte studioja belge 51N4E, autorja e projektit të Sheshi Skënderbej. Ajo ka përfunduar tashmë edhe Green Coast Hotel, duke përdorur gurë vendas në ndërtimin e tij.
Po në zonën e Himarës, projekte të tjera në zhvillim nga studioja turke Emre Arolat Architecture dhe studioja amerikane Oppenheim Architecture përdorin materiale lokale dhe i përgjigjen peizazhit bregdetar.
Në një botë ku zëri i arkitektit duket se rrezikon gjithnjë e më shumë të heshtet, Rama mbetet një mbështetës i vendosur i fuqisë së arkitektëve si nxitës të ndryshimeve pozitive.
“Arkitektura mund të transformojë jo vetëm hapësirat, por edhe mendjet”, përfundon ai. “Jo vetëm vendet, por edhe imagjinatën e komunitetit tone, ndjenjën e tij të përkatësisë dhe vizionin për të ardhmen”.
*Vanessa Norëood është shkrimtare, kuratore dhe konsulente.