“Një fillim të ri shprese për të gjithë ju”, Benjamin Netanyahu uron popullin iranian për festën e Novruzit: E mira do të triumfojë!

Në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të jenë të larta dhe marrëdhëniet mes Izraelit dhe Iranit mbeten të ndërlikuara, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dërguar një mesazh urimi për popullin iranian me rastin e Festës së Dritave dhe Novruzit.
Netanyahu e përshkroi këtë festë si një simbol të shpresës, lirisë dhe fillimeve të reja, duke nënvizuar rëndësinë e dritës që triumfon mbi errësirën dhe të mirës që mposht të keqen. Ai i ftoi iranianët të festojnë këtë moment me familjen, miqtë dhe të dashurit e tyre, duke e konsideruar Novruzin si një mundësi për një fillim të ri plot shpresë dhe optimizëm.
Në mesazhin e tij, kryeministri theksoi se kjo festë ka një kuptim të veçantë këtë vit dhe shprehu dëshirën që çdo iranian të gjejë në të një ndjesi të re lirie dhe mirëqenieje.
Mesazhi i plotë:
Popullit të guximshëm të Iranit, ju uroj, siç bëj çdo vit, një sezon të lumtur festash, duke filluar me Festivalin e Dritave.
Kjo simbolizon besimin e lashtë të popullit iranian se drita do të triumfojë mbi errësirën, se e mira do të triumfojë mbi të keqen. Këtë vit kjo festë ka një kuptim të veçantë.
Festojeni atë me miqtë, familjen, të dashurit tuaj. Shfrytëzoj këtë rast për t’ju uruar një Novruz të lumtur-një vit lirie. Një fillim të ri shprese për të gjithë ju, miqtë e mi të dashur.