Nga “hije” drejt kreut të Iranit! Kush është Mojtaba Khamenei, pasuria e tij milionëshe me prona luksoze pranë rezidencës së Princit në Londër

Raportet e mediave perëndimore dhe izraelite thonë se Mojtaba Khamenei, djali i dytë i udhëheqësit suprem të Iranit, është zgjedhur për të pasuar të atin, Ajatollah Ali Khamenei. Deri tani nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane për këtë zhvillim.
Sipas burimeve të mediave ndërkombëtare, Mojtaba Khamenei, i njohur për qëndrimin e tij të ashpër dhe lidhjet e forta në Iran, pritet të marrë drejtimin e Republikës Islamike 47-vjeçare. Në sulmin ku raportohet se humbi jetën i ati, thuhet se u vranë gjithashtu nëna, bashkëshortja dhe një nga motrat e tij, ndërsa vetë Mojtaba nuk ndodhej në vendngjarje dhe i ka mbijetuar bombardimeve.
Një figurë me profil të ulët publik
Për vite me radhë, Mojtaba Khamenei është konsideruar si një nga figurat më të fuqishme, por njëkohësisht më pak të dukshme në strukturat e pushtetit në Iran. Ai ka vepruar kryesisht në prapaskenë, me ndikim të madh në politikë dhe në aparatin ushtarak të vendit, veçanërisht përmes lidhjeve me Gardën Revolucionare Islamike.
I lindur në vitin 1969 në Mashhad, pranë kufirit me Afganistanin, ai u rrit në një familje të përfshirë thellësisht në aktivitetet politike kundër regjimit të Shahut. Veprimtaria e të atit, Ali Khamenei, kundër monarkisë çoi në arrestime të shpeshta nga policia sekrete SAVAK.
Pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, familja u zhvendos në Teheran. Mojtaba ndoqi shkollën elitare Alaëi dhe u diplomua në vitin 1987. Gjatë kësaj periudhe ai u bashkua me Gardën Revolucionare dhe mori pjesë në Luftën Iran-Irak, ku krijoi lidhje të rëndësishme me figura që më vonë do të kishin rol kyç në politikën dhe ushtrinë iraniane.
Studimet dhe rritja e ndikimit politik
Në vitin 1989, pasi i ati mori postin e udhëheqësit suprem, familja Khamenei fitoi një rol edhe më të rëndësishëm në strukturën e pushtetit në Iran. Mojtaba vijoi studimet për teologji dhe jurisprudencë islame në Teheran dhe më pas në qytetin e shenjtë të Qomit, një nga qendrat kryesore të arsimit teologjik shiit.
Megjithëse ai nuk ka pasur një rol të dukshëm publik në hierarkinë klerikale, ndikimi i tij politik është rritur gradualisht. Sipas analistëve, ai ka pasur rol në menaxhimin e krizave ekonomike, në kontrollin e burimeve financiare të rëndësishme dhe në koordinimin e strukturave të sigurisë dhe mediave shtetërore iraniane.
Pasuri të mëdha dhe prona në Londër
Një hetim i publikuar nga Bloomberg ka zbuluar se Mojtaba Khamenei zotëron disa prona luksoze në Londër. Dy apartamente në zonën prestigjioze Kensington, shumë pranë ambasadës izraelite dhe rezidencës së Pallatit Kensington, vlerësohen të kenë një vlerë mbi 50 milionë paund.
Sipas raportimit, këto prona ndodhen në katet e sipërme të një ndërtese luksoze dhe janë vetëm pak metra larg rezidencës së Princit Ëilliam dhe Kate Middleton. Apartamentet janë blerë në vitet 2014 dhe 2016.
Hetimi zbulon gjithashtu se përmes një kompanie të regjistruar në Ishullin e Manit, Khamenei zotëron edhe 11 shtëpi luksoze në Bishops Avenue, në zonën Hampstead në veri të Londrës. Vlera e kombinuar e këtyre pronave arrin rreth 200 milionë paund dhe shumë prej tyre thuhet se qëndrojnë bosh.
Prona të tilla janë regjistruar në emër të biznesmenit iranian Ali Ansari, i konsideruar si mik i ngushtë i familjes Khamenei dhe që dyshohet se i ka blerë ato në emër të tij.
Dyshime për përdorim të pronave për spiunazh
Afërsia e apartamenteve në Kensington me ambasadën izraelite ka ngritur shqetësime për sigurinë. Ekspertë të sigurisë kanë paralajmëruar se vendndodhja e tyre mund të përdoret për monitorimin e lëvizjeve të stafit dhe vizitorëve të ambasadës, madje edhe për përgjime nga distanca.
Këto dyshime janë shtuar pas arrestimit të disa shtetasve iranianë në veri të Londrës, të cilët dyshohen për aktivitete spiunazhi në favor të inteligjencës iraniane.