“Ndaloni, ndaloni…Policia”, AKSION gjatë natës te “Rrethi i Freskut”, efektivët rrethojnë anëtarët e grupit kriminal, u gjejnë nëpër çorape armët e trafikuara (PAMJE)

Policia e kryeqytetit ka arritur që të zbërthejë një prej grupeve kriminale i cili kishte shtrirë aktivitetin e tyre të armëve të trafikuara, në Tiranë dhe më gjerë.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Rotondo”, u bë i mundur arrestimi i 31-vjeçarit shkodran, Donati Jaku dhe një të riu nga Domje i identifikuar si Florian Gjata si dhe u shpall në kërkim një tjetër shtetas.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në “Rrethin e Freskut”, u ndalua një mjet që drejtohej nga 22-vjeçari Gjata, ku pasagjer ishte Jaku. Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë.
“Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë. Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S..
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka publikuar edhe pamjet e arrestimit të këtyre shtetasve ku shihen efektivët të cilët kanë bllokuar automjetin dhe kanë nxjerrë jashtë Jakun dhe Gjatën. Siç shihet dhe në videon e mëposhtme ata kishin fshehur armët nëpër çorape.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Tiranë/Finalizohet si rezultat i një hetimi dymujor, operacioni i koduar “Rotondo”.
Goditet një tjetër grup kriminal i përfshirë në trafikim dhe shitje të armëve të zjarrit.
Sekuestrohen 6 pistoleta të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen, kryesisht në zonën e quajtur “Fresku”.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetasit që transportonin me automjet, armët e zjarrit.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim një bashkëpunëtor i tyre.
Si rezultat i një hetimi të kryer për 2 muaj, me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit, finalizuan operacionin e koduar “Rotondo”.
Gjatë operacionit, u vunë në pranga shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.
Automjeti që drejtonte 22-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi D. J., u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.
Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë.
Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volksëagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë.
Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S..
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.