Nafta në Shqipëri drejt rritjes “pa frena”, pritet të shkojë në 250 lekë, shoferët e transportit urban drejt juglindjes paralajmërojnë shtrenjtim të biletave

Tensionet në Lindjen e Mesme po reflektohen gjithnjë e më shumë në ekonominë globale, duke dhënë efekte të menjëhershme edhe në Shqipëri. Përshkallëzimi i konfliktit pranë Ngushticës së Hormuzit, një nga arteriet më të rëndësishme për furnizimin me naftë në botë, ka rikthyer frikën në tregjet ndërkombëtare dhe ka nxitur një valë të re rritjeje të çmimeve.
Situata u tensionua edhe më tej pas njoftimit të CENTCOM, i cili bëri të ditur se forcat amerikane kanë kryer një sulm të drejtpërdrejtë ndaj bazave raketore iraniane përgjatë vijës bregdetare pranë kësaj ngushtice. Sipas deklaratës, objektivat përbënin një kërcënim për transportin detar ndërkombëtar, pasi në to ishin vendosur raketa anti-anije që mund të godisnin linjat kryesore të tregtisë globale.
Ky zhvillim shihet si pjesë e një përplasjeje më të gjerë, ku Irani po sinjalizon hakmarrje duke kërcënuar pikërisht pikën më të “dobët” të ekonomisë botërore, qarkullimin e naftës. Çdo destabilizim në Ngushtica e Hormuzit përkthehet automatikisht në rritje çmimesh, pasi një pjesë e madhe e naftës globale kalon përmes saj. Fillimi i vitit 2026 ishte relativisht i qëndrueshëm, me çmimet nën 70 dollarë për fuçi, por shpërthimi i konfliktit në fillim të marsit i çoi ato në mbi 100 dollarë për fuçi brenda pak ditësh.
Efektet në Shqipëri kanë qenë të shpejta dhe të dukshme. Çmimi i naftës në tregun vendas ka arritur sot në rreth 199 lekë për litër, ndërsa operatorët paralajmërojnë se, nëse kriza thellohet dhe çmimi ndërkombëtar shkon drejt 150 dollarëve për fuçi, ai mund të arrijë deri në 250 lekë për litër. Një skenar i tillë do të rëndonte ndjeshëm ekonominë, duke rritur shpenzimet mujore të konsumatorëve.
Rritja e çmimit të karburantit po transmetohet tashmë në gjithë zinxhirin ekonomik. Transporti është ndër sektorët e parë që po ndjen efektet, ku çmimet e biletave kanë nisur të rriten. Operatorët e linjës Tiranë-Korçë kanë paralajmëruar një rritje të biletës së transportit, duke çuar biletën deri në 10 mijë lekë, si pasojë e drejtpërdrejtë e shtrenjtimit të naftës.