Ministri Hoxha pret ambasadorin spanjoll: Javën e ardhshme vizitë zyrtare në Spanjë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot në 14 mars një takim me ambasadorin e Spanjës në Tiranë, Gabriel Cremades Ventura.
Gjatë takimit u vlerësua mbështetja e vazhdueshme që Spanja i jep Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimi Evropian. Ministri Hoxha theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Takimi u zhvillua në kuadër të 40-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Spanjës. Palët rikonfirmuan angazhimin për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme.
Gjithashtu u diskutua edhe për vizitën zyrtare që ministri Hoxha do të zhvillojë në Spanjë javën e ardhshme. Kjo vizitë pritet të shërbejë për zgjerimin e partneritetit mes dy vendeve. Bashkëpunimi pritet të fokusohet në turizëm, energji të rinovueshme, infrastrukturë dhe agro-industri.
Postim i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në X:
Jo thjesht një takim i parë prezantues me Gabriel Cremades Ventura, Ambasador i Spanjës në Tiranë. Shpreha vlerësimin tim për mbështetjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të Spanjës ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ndërsa shënojmë 40-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Spanjës, rikonfirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të forcuar edhe më tej lidhjet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona.
Diskutuam gjithashtu për vizitën time në Spanjë javën e ardhshme, e cila do të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në afrimin edhe më të madh të vendeve tona.
Hapësirat për bashkëpunim janë edhe më të shumta, jo vetëm në turizëm, ku “Meliá Hotels International” ka hapur rrugën për një prani më të madhe spanjolle, por edhe në energjinë e rinovueshme, infrastrukturë, agro-industri dhe sektorë të tjerë me potencial të madh për partneritet.