Meta nuk heq dorë nga “liria”! Ish-presidenti i gatshëm “të paguajë” për zbutje të masës: Dosja ime është në gjykim, nuk rrezikoj t’i prish provat

Ditën e martë, më 24 mars, Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit pritet të shqyrtojë kërkesën e Ilir Metës për zbutjen e masës së sigurisë.
Burime për mediat bëjnë me dije se gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën e kreut të Partisë së Lirizsë, është Paulin Çera.
Meta depozitoi së fundmi një tjetër kërkesë në Gjykatën e Posaçme, përmes së cilës kërkoi lirimin nga qelia kundrejt një garancie pasurore.
Ish-presidenti ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ me një masë më të butë sigurie si ‘arrest shtëpie’, ‘detyrim paraqitje’, ‘garanci pasurore’ ose ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’.
Meta ka kërkuar zbutje të masës me pretendimin se dosja është dërguar tashmë për gjykim dhe sipas tij nuk ekziston rreziku që ai të prishë provat apo të ndikojë mbi dëshmitarët.
Kujtojmë se Ilir Meta së bashku me ish-partneren e tij, Monika Kryemadhi, janë vënë nën hetim nga SPAK për skandalin e CEZ-DIA.
Konkretisht ish-çifti është marrë i pandehur për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.