Mësymja e specialëve të RENEAS te “7 Pallatet” në Vlorë, apartamentet ku jetonte Ini i Çones me shokë monitoroheshin me kamera, dyert ishin të blinduara! Detaje nga bastisja

Forcat Speciale RENEA bastisën pak ditë më parë një kompleks banimi në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, me shpresën se do të gjenin atje Inez Hajrullën dhe shokët e tij, të dyshuar si pjesë e një grupi të fuqishëm kriminal në qytetin bregdetar, nën akuzë për disa ngjarje.

Mirëpo, Ini i Çones, siç njihet ndryshe Inez Hajrulla, apo dhe “Sakati” për shkak se ka humbur të dyja këmbët në një atentat me tritol vite më parë, nuk u arrit të lokalizohej. Gazetarja Klodiana Lala ka treguar mbrëmjen e sotme detaje nga kontrollet në Vlorë.

E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ajo ka treguar se efektivët e RENEAS kanë kontrolluar katet e 8-ta të bllokut të banimit të kompleksit Oslo – që në Vlorë njihet edhe si “7 Pallatet” – sepse nga përgjimet e zbuluara ishte mësuar se Inez Hajrulla dhe të tjerët e kishin aty bazën.

“Inez Hajrulla është person që mori drejtimin e grupit më të rrezikshëm në Vlorë pas vrasjes së Edison Harizaj, që dyshohej se kishte urdhëruar një seri vrasjes dhe kishte zhdukur disa persona në Vlorë, për të marrë kontrollin në territor, etj. Hajrulla, kur grupi drejtohej nga Harizaj, ishte personazh jo me peshë, u kishte mbijetuar tre atentateve.

Kur mori drejtimin e grupit, filloi përplasjet. Më të fortën e ka patur me Fatmir Hysenin, grupin e tij, që është në kërkim ndërkombëtar si vrasës me pagesë. Akuza zyrtare është ajo e vrasjes së Santiago Malkos, krahu i djathtë i Martinajt.

Hajrulla kishte qëllim të ekzekutonte Fatmir Hysenin dhe Armando Sulejmanin. Nuk kapte dot këta personazhe, atëherë ai vendos, sipas komunikimeve të SKY ECC, të ekzekutojë kushëririn e tij Gentian Qarri. Vendosin në shënjestër Bledar Birçaj. Grupi i Hajrullës kishte hyrë në lokal kishte vendosur kamera dhe kontrollonte veprimet e Birçaj.

Hajrullaj dhe Matodoshaj kanë akuzën e krijimit të kushteve. Janë duke u hetuar edhe ngjarje të tjera, që dyshohet se janë urdhëruar nga ky grup. Rezulton i përfshirë Flodian Plaku dhe një personazh Menduh Duka, pronar i disa kompanive.

Si në të gjithë grupet, edhe në këtë grup, janë implikuar zyrtarë të policisë. Njëri është arrestuar në detyrë, dyshohet se informonte grupin.

Kur RENEA ka hyrë në përpjekje për të arrestuar Inez Hajrullën, janë kontrolluar vetëm katet e 8 të pallateve Oslo, pasi në SKY pretendonin se qëndronin aty. Kishte dyer të blinduara ishin shtëpi të monitoruara me kamera të rezolucioni të lartë dhe kishin komunikim me njëri tjetrin. Hetimi është maja e ajsbergut. Nuk është zbërthyer ende aplikacioni i tij dhe kjo mund të hedhë dritë mbi një sërë ngjarjesh në Vlorë”, tha Lala.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT