“Më falni!” I vrau të birin me thikë pas shpine, Gazment Buçpapaj i penduar para Policisë, kërkon faljen e familjarëve të Egli Pashollarit (DETAJE)

“I kërkoj falje familjes së tij”, kështu mësohet të ketë deklaruar 40-vjeçari Gazment Buçpapaj i cili pasditen e 20 shkurtit qëlloi me thikë për vdekjen të riun, Egli Pashollarin.
Burime për mediat bëjnë me dije se Buçpapaj është shfaqur i penduar para grupit hetimor. Ai ra në prangat e policisë një natë më parë, pasi prej momentit kur dhe ndodhi ngjarja e rëndë ai u arratis. Efektivët arritën që ta lokalizojnë në zonën e Tropojës, ku 40-vjeçari kishte gjetur strehë në një banesë në vendlindjen e tij.
“Si rezultat i veprimeve operacionale profesionale, të kryera në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, për lokalizimin dhe ndalimin e autorit të vrasjes së shtetasit E. P., kryer më datë 20.02.2026, gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë finalizuan operacionin e koduar “Distanca”.
Në kuadër të këtij operacioni, pasi u lokalizua dhe u mbajt në mbikëqyrje në banesën ku fshihej në vendlindjen e tij, në Tropojë, u bë ndalimi i shtetasit G. B., 40 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, njoftoi Policia një ditë më parë.
Ngjarja e rëndë u regjistrua pasditen e 20 shkurtit, rreth orës 15:40. I riu Egli Pashollari i cili u tha se ka qenë dhe një nga njerëzit e afërt të Emiljano Shullazit, u qëllua me thikë pas shpine dhe fatkeqësisht ndërroi jetë rrugës për në spital.
Lidhur me këtë ngjarje policia shpalli në kërkim shtetasin Gazment Buçpapa, ndërkohë që në polici dha dëshminë dhe bashkëshortja e këtij të fundit.
Ajo deklaroi se në zonën e rrugëve “Ylbere Bylykbashi” dhe “Kongresi i Lushnjës”, sapo kishte dalë nga puna me bashkëshortin e saj, u krijua një situatë tensioni në trafik me një automjet që, sipas saj u kishte bllokuar rrugën.
“Bashkëshorti i ra borisë për t’i kërkuar të hapte krahun, por nga mjeti tjetër morëm sharje të rënda”, tha ajo, teksa më tej tregoi se vijuan rrugën, por pak më tej e njëjta makinë po lëvizte shumë ngadalë para tyre.
Pas një tjetër sinjali me bori, automjeti ndaloi dhe nga makina zbriti një i ri rreth 30 vjeç, i shoqëruar nga dy persona të tjerë dhe u afrua drejt tyre. Në ato momente ajo tregoi se bashkëshorti i saj, Gazment Buçpapaj zbriti dhe mes tyre nisi një përleshje fizike me grushte.
Laureta Buçpapaj deklaroi se ndërhyri duke shtyrë drejtuesin e mjetit tjetër dhe një nga personat që e shoqëronte. Sipas saj, situata doli jashtë kontrollit brenda pak sekondash. Ajo tha se pa të riun të gjakosur, ndërsa bashkëshorti e kapi nga krahu dhe u larguan me shpejtësi.
Rreth 50 metra më tej, braktisën automjetin dhe vijuan në këmbë drejt Rrugës së Kavajës. Më tej ajo ka rrëfyer se pranë një pastiçerie morën një taksi dhe shkruan në banesë ku bashkëshorti i saj ndryshoi rrobat dhe u largua, duke mos marrë as telefonin me vetë.