LAJM I MIRË për banorët e juglindjes, ARRSH njofton hapjen e rrugës në Librazhd: Ja kur do të lejohet qarkullimi i mjeteve

Aksi rrugor Librazhd-Prrenjas do të hapet zyrtarisht nesër për qarkullimin e automjeteve. Lajmin e ka dhënë Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili bën me dije se pas punimeve të kryera, nesër (3 Mars) në mesditë aksi drejt/dhe për në juglindje do të jetë i hapur.

Aksi nacional Librazhd-Prrenjas, pranë fshatit Dragostunjë, është bllokuar prej afërsisht dy javësh pas rrëshqitjes së një masivi të madh dheu në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.

Bllokomi total i saj si masë sigurie shkaktoi bllokim të qarkullimit drejt Juglindjes dhe anasjelltas, në ditët e para, dhe më pas u vunë në dispozicion rrugë alternative nga Gramshi. Gjithashtu, për kamionët e transportit ndërkombëtar u lejua kalimi nga Pika Kufitare e Bllatës.

Drejtuesit e ARRSH kanë konfirmuar se nesër, ditë e martë datë 3 Mars, qarkullimi i të gjitha kategorive të automjeteve do të jetë i lejuar prej orës 12:00.

Gjatë këtyre ditëve, kompania kontraktore ka dislokuar në zonë të gjithë personelin, me disa eskavatorë, më shumë se 20 kamionë dhe Autoriteti Rrugor e Instituti Gjeologjik kanë dërguar në zonë ekspertët më të mirë.

Si fillim, është bërë devijimi i shtratit të lumit dhe më pas është punuar pa ndalim për hapjen e një rruge provizore dhe paralelisht punimet për rrugën e Korridorit të VIII. Drejtori i ARRSH, Ami Kozeli dhe drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, Indrit Koleci kanë njoftuar se rruga do të jetë gati nesër për qarkullim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT