Izraeli dhe SHBA nuk “ndajnë dot mendjen”! Trump thotë se do “qetësohen” sulmet, ministri izraelit thotë se do të shtohen

Ministri izraelit i mbrojtjes, është shprehur këtë mëngjes se sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit do të “rriten ndjeshëm” përgjatë javës në vazhdim. Një deklaratë kjo që bie ndesh me atë që ka thënë “aleati” i tij në frontin e luftës, Donald Trump, i cili është shprehur se po shqyrton “pakësimin e përpjekjeve ushtarake.”
Më konkretisht Ministri i Mbrojtjes Israel Katz tha: “Këtë javë, intensiteti i sulmeve që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe ushtria amerikane do të kryejnë kundër regjimit terrorist iranian dhe infrastrukturës në të cilën ai mbështetet do të rritet ndjeshëm, dhe fushata e udhëhequr nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe Kryeministri Benjamin Netanyahu do të vazhdojë.”
Duke shtuar më tej se ushtria izraelite ka mijëra objektiva të mbetura në Iran dhe se është duke planifikuar disa javë të tjera lufte. “Ne nuk do të ndalemi derisa të arrihen të gjitha objektivat e luftës”, tha Katz këtë mëngjes.
Kujtojmë se dje, Trump tha në mediat sociale se SHBA-të ishin “shumë afër” arritjes së të gjitha objektivave të tyre dhe se ai do të merrte në konsideratë “ t’i japë fund përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme”, sipas raportimit të CNN.
E megjithatë mijëra marinarë amerikanë po shkjojnë drejt lindjes së mesme, ndërkohë që lufta tashmë ka hyrë në javën e katërt.