Ish-ministri nuk tërhiqet, kërkesën për Porto Romanon e çon dhe zyrtarisht në Qeveri: A i keni mbajtur kompanisë greke “Archirodon” garancinë 8 milionë euro?!

Profesori i Ekonomisë dhe ish-ministri socialist Arben Malaj ka dërguar zyrtarisht në Qeveri një kërkesë për informacion, lidhur me procedurën e tërheqjes së kompanisë fituese nga gara për tenderin 400 milionë eurosh për Porto Romanon.
Të hënën më 9 mars ishte afati i fundit për operatorin e vetëm të kualifikuar në fazën finale të garës për të paraqitur ofertën për ndërtimin e “Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano – Faza I”.
Por të mërkurën, qeveria pranoi se nuk kishte marrë asnjë ofertë dhe se operatori ishte tërhequr nga gara, duke dështuar kështu procedurën e prokurimit për ndërtimin e kësaj vepre, dy vjet pas hapjes së saj.
Profesori Arben Malaj kërkon nga Qeveria Shqiptare, nëse kompanisë greke “Archirodon Construction” dhe bashkëpunëtorëve të saj në këtë konsorcium u është mbajtur garancia prej 8 milionë euro, një procedurë që njihet si sigurim oferte.
“Referuar deklaratave publike mbi anullimin e fazë se dytë të projektit strategjik të Portit të Romanos, ku është njoftuar tërheqja e operatorit përpara dorëzimit të ofertës financiare, lind nevoja për transparencë mbi mbrojtjen e interesave të buxhetit të shtetit. Në çdo garë të këtij niveli, operatorët dorëzojnë një sigurim oferte (bid bond).
Nëse një operator tërhiqet në mënyrë të njëanshme pasi është kualifikuar, shteti ka detyrimin ligjor të ekzekutojë këtë sigurim si penalitet. Përdorimi nga qeveria i termit “anullim tenderi” në rrethanat kur faktet tregojnë “tërheqje të operatorit”, mbart rreziqe financiare dhe juridike mbi buxhetin dhe taksapaguesit shqiptare”, shkruan Malaj.
Ish-ministri pyet nëse mbyllja e garës është një anullim me iniciativë të Ministrisë apo një tërheqje formale e kompanisë, duke kërkuar t’i vihet në dispozivion vendimi i Agjencisë së Prokurimeve Publike.
“Nëse është ekzekutuar sigurimi i ofertes (bid bond) në favor të buxhetit të shtetit pas tërheqjes së operatorit?? A është përfshirë kompania dështuese në një listë të zezë’ nga gara për këtë projekt, dhe ndalimin e pjesëmarrjes në prokurime publike për një periudhë 1 deri në 3 vjeçare”, vijon Arben Malaj.
Qeveria shqiptare hapi garën për ndërtimin e portit të ri në korrik të vitit 2024; konkurruan disa kompani të mëdha ndërkombëtare, por qeveria i skualifikoi ato, duke lënë në garë si operator të vetëm kompaninë greke Archirodon Construction dhe bashkëpunëtorët e saj.
Ndërtimi i Portit të ri është parashikuar në dy faza nga qeveria shqiptare, por vonesat dhe kontestimet në procesin e konkurrimit e rrezikojnë projektin edhe për disa vite të tjera. Bëhet fjalë për një projekt 400 milionë euro.