Ish-ministri i Ilir Metës bën premtimin e fortë: Do dal të votoj Erion Braçen nëse ai kandidon për Bashkinë e Tiranës! Është më i miri për kryeqytetin, me të nderohen PS dhe PD

Ylli Manjani rreshtohet publikisht në zërat publikë që mbështesin socialistin Erion Braçe në vendimin e tij për të garuar për Bashkinë e Tiranës, qoftë nën siglën e Partisë Socialiste dhe qoftë si i pavarur, nëse të vetët nuk e mbështesin.
Ish-ministri që me ardhjen e së majtës në pushtet shërbeu si ministër i LSI në kabinet, thotë se Erion Braçe është një nga njerëzit më të përgatitur dhe askush më mirë se ai nuk do i shërbente kryeqytetit.
“Erion Braçe është karakter i pjekur tashmë dhe mund ta quash maksimumi fleksibël, por është i pakompromis me të vërtetën. Ai është politikan që ndërton mendimin politik mbi kontaktin e drejtpërdrejt me të njohur e të panjohur. Një punëtor politik i jashtëzakonshëm.
Mund të cedojë ndoshta në imazherinë e sotme politike, por asnjëherë në përmbajtje. Njeh absolutisht çdo problem ekonomik e politik në detaj. Korrekt në ekstrem me ligjin dhe vështirë ta akuzosh si i padrejtë”, shkruan Ylli Manjani.
Ai vazhdon më tej kur thotë se Erion Braçe është njohës i thellë e çështjeve të pushtetit vendor dhe pavarësisht se ka shërbyer deputet, gjithnjë është marrë në thellësi me çështjet e pushtetit vendor. “Kritik dhe propozues zgjidhjesh si ai, askush tjetër”, vijon Manjani.
Ish-ministri i majtë thekson se me Erion Braçen nderohet Tirana, por edhe politika e majtë dhe e djathtë për faktin se është “ndër të paktët produkte politike me substancë në xhiro.”
“PS mund të pretendojë edhe emra të tjerë për kandidim, por nuk ka për të gjetur më të mirë së Braçe. Në të gjitha kuptimet… Unë vetë do ta braktisja bojkotin zgjedhor për të votuar Erion Braçen në bashkinë e Tiranës”, përmbyll Ylli Manjani.