Ilir Proda u shkarkua, si do të zgjidhet Kryepolici i ri i Shqipërisë?! UDHËZIMI dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, ministri do i dërgojë emrin Ramës

Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar Ilir Prodën nga detyra si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, menjëherë pas protestës së opozitës në Tiranë, ku mbrëmjen e së shtunës u sulmua vila e Enver Hoxhës dhe u rreziku jeta e artistëve të huaj që ndodheshin brenda.
Vendimi për largimin e Ilir Prodës është ekzekutuar menjëherë, ndërsa në vend të tij është komanduar Sokol Bizhga, i cili do të drejtojë përkohësisht institucionin deri në përfundim të procesit të përzgjedhjes.
Newsbomb.al risjell të plotë udhëzimin që përcakton rregullat dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, të cilët do të garojnë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm. Ai është miratuar në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Ervin Hoxha.
Thirrja qëndron e hapur për shtatë ditë dhe më pas, të gjitha kandidaturat do të kalojnë në filtrat e një Komisioni të Posaçëm që do të ngrihet enkas për zgjedhjen e kryepolicit të Shqipërisë, i përbërë nga një prej zëvendës ministrave, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe drejtuesi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Veç aftësive profesionale, një rëndësi të madhe do të ketë dhe integriteti moral, si dhe aftësitë organizative dhe drejtuese.
Përsa i përket integritetit moral, kandidati për Drejtues i Përgjithshëm duhet të ketë reputacion dhe të gëzojë respekt në shoqëri dhe mes kolegëve, shkruan newsbomb.al. Gjithashtu, do të vlerësohen cilësitë morale si ndershmëria, përpikëria në kryerjen e detyrave, drejtësia në marrjen e vendimeve dhe llogaridhënia, etj.
Udhëzimi i ministrit të Brendshëm parashikon dhe një sërë elementësh shtesë, të cilët do të ndikojnë në renditjen më lart në listë të kandidatëve për kryepolic, si mbajtja e titujve akademikë, studimet dhe trajnimet afatgjata të kryera jashtë vendit, jo më pak se dy javë në fushën e rendit ose sigurisë ose aftësive menaxheriale dhe zotërimi i gjuhëve të huaja, duke i dhënë përparësi gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës.
Pas kalimit të të gjitha hapave që përcaktohen qartë në udhëzim, Komisioni i Posaçëm bën renditjen e kandidatëve dhe ia dërgon ministrit.
Në përfundim, ministri i Brendshëm i propozon kryeministrit një nga kandidatët me vlerësimin më të lartë, duke e shoqëruar me një relacion i cili shpjegon procesin e ndjekur, kandidatët që u kualifikuan dhe shkaqet për propozimin e kandidatit përkatës për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
© Newsbomb.al