“Hashim Thaçi të bëhet kryeministër i Kosovës!”, i dërguari i Trump, Richard Grenell kërkon rikthimin e ish-presidentit në politikë

I dërguari i presidentit amerikan, Richard Grenell në një reagim të bërë së fundmi ka kërkuar rithimin në politikë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Përmes një postimi të bërë në rrjetin “X” Grenell theksoi se Thaçi mund të marrë postin e kryeministrit në të ardhmen.
“Lajm i shkëlqyer. Zoti po na përgatit të gjithëve për rikthimin e Hashim Thaçit! Thaçi për kryeministër”, u shpreh Grenell.
Komentet e tij vijnë në kohën kur Kosova përballet me mundësinë e zgjedhjeve të reja pas dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e parlamentit. Një hap të cilin mesa duket Grenell e ka pritur me gëzim.
Kujtojmë se Thaçi aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, ku po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, akuza ndaj të cilave është deklaruar i pafajshëm.
Procesi gjyqësor ndaj Thacit i cili është zgjatur prej vitesh, pritet që të përfundojë së shpejti.