“Grup me maska dhe armë”, gazetarja tregon çfarë ndodhi te MCN TV: Nuk po kërcënohet vetëm pronari Endri Meksi, në rrezik jemi dhe në gazetarët! Pse hesht Policia dhe Prokuroria?

Gazetarja e njohur Ola Xama ka treguar atë se çfarë ka ndodhur në fundjavë përpara ambienteve të televizionit privat të drejtuar nga Endri Meksi, djali i ish-kryeministrit të Shqipërisë, Aleksandër Meksi.
Sipas gazetares, e cila punon në televizion, një grup personash të maskuar dhe me të armatosur janë shfaqur për herë të dytë brenda pak ditësh përreth godinës së MCN TV, duke rrezikuar jetën e pronarit dhe të stafit që punon aty.
“Ky kërcënim nuk përbën rrezik vetëm për pronarin e televizionit, por për të gjithë ata që punojnë në MCN TV. Kërcënimi lidhet me temat që media MCN ka trajtuar dhe investiguar, çka përbën drejtpërdrejt një shantazh që ka si qëllim heshtjen e gazetarëve”, shkruan Ola Xama.
Gazetarja shprehet se Prokuroria dhe Policia e Tiranës nuk po e marrin seriozisht këtë ngjarje dhe sipas saj, autoritetet duket se po presin që të ketë viktima, që të reagojnë dhe të zbulojnë se kush qëndron pas këtij grupi.
“Episodi i parë i ndodhur në fillim të muajit mars është raportuar në polici e më pas në prokurori, por ndërsa nga hetimet nuk ka asnjë punë konkrete për të pyetur persona në dijeni, për të siguruar pamjet filmike të njerzve përreth dhe për të mbledhur prova, të njëjtët gjejnë guximin për të ardhur sërish”, vijon Ola Xama.
Dje, edhe vetë pronari i televizionit privat Endri Meksi ka folur për herë të parë publikisht për këto tentativa për ta eleminuar fizikisht, duke pretenduar se Policia e Tiranës është e lidhur me grupe të mëdha interesi dhe tenderash në institucionet publike.