“Gabimi në moshën 15-vjeçare nuk mund të shkatërrojë një karrierë” – Rasti Manjani, Strasburgu rrëzon KLP-në

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka shpallur sot vendimin unanim në çështjen “Manjani kundër Shqipërisë“, duke konstatuar se shteti shqiptar ka shkelur Nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Shiqiri Manjani, iu nënshtrua në vitin 2020 procesit të pranimit në Shkollën e Magjistraturës për profilin prokuror, ku pasi kaloi provimin, u skualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Shkak për këtë vendim u bë një dënim për vjedhje i vitit 2006, i marrë kur ai ishte 15 vjeç, dënim për të cilin aplikuesi ishte reabilituar ligjërisht në vitin 2014.

Ankimet e Manjanit u rrëzuan radhazi nga Gjykata Administrative e Apelit, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Autoritetet vendase argumentuan se legjislacioni i posaçëm ndalon pranimin në sistemin e drejtësisë të personave të dënuar me vendim të formës së prerë, pavarësisht reabilitimit apo moshës kur është kryer vepra.

Një element i rëndësishëm i vendimit të Strasburgut është referenca që i bëhet mendimit kundërshtues të gjyqtares Marsida Xhaferllari në Gjykatën Kushtetuese, i përmendur në pikën 10 të vendimit.

Në këtë opinion në pakicë, gjyqtarja Xhaferllari kritikonte mënyrën se si gjykatat shqiptare kishin arsyetuar vendimet e tyre. Sipas saj, gjykatat e zakonshme kishin injoruar faktin se Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte zbatuar në thelb ndryshime ligjore që në atë kohë ekzistonin vetëm si projekt-amendamente, ndërsa Gjykata e Lartë kishte krijuar vetë pamjen e një zbatimi retroaktiv të ligjit, duke përdorur interpretimin e dispozitës së ndryshuar më vonë.

Sipas Xhaferllarit, shumica e Gjykatës Kushtetuese gjithashtu nuk kishte kryer një balancim real midis interesit publik dhe të drejtave të aplikantit, duke mos shpjeguar pse ndalimi i tij për të hyrë në Magjistraturë ishte proporcional me parimin e dinjitetit njerëzor, sidomos duke pasur parasysh moshën e tij në kohën e ngjarjes dhe aftësinë e kufizuar të një të mituri për të kuptuar plotësisht pasojat e veprimeve të tij.

Gjykata Evropiane vlerësoi se ndërhyrja e autoriteteve shqiptare ishte jo proporcionale dhe e pambështetur në një analizë të mjaftueshme. Pikat kyçe të arsyetimit përfshijnë:

-Mungesa e vlerësimit të individualizuar: Gjykata konstatoi se autoritetet kombëtare u mjaftuan me një interpretim mekanik të ligjit, pa kryer një analizë të hollësishme të rrethanave specifike të rastit.

-Shpërfillja e moshës: Faktet tregojnë se z. Manjani ishte i mitur në kohën e veprës penale (15 vjeç), rrethanë që sipas Gjykatës duhej të trajtohej me prioritet në dritën e interesit më të lartë të fëmijës dhe parimeve të riintegrimit.

-Natyra e ndalimit: Gjykata e cilësoi si “ndalim absolut dhe të përhershëm”, i cili ka pasur një ndikim serioz dhe të pakthyeshëm në zhvillimin profesional dhe identitetin social të aplikuesit në një fazë të hershme të karrierës së tij.

-Integriteti i mëpasshëm: Nuk u mor parasysh sjellja e aplikuesit pas dënimit, përfshirë faktin që ai kishte ushtruar profesionin e avokatit dhe oficerit të policisë gjyqësore pa probleme ligjore.

Në përfundim, GJEDNJ vendosi:

-Dëmshpërblim: Shteti shqiptar detyrohet t’i paguajë aplikuesit shumën prej 4,500 euro si dëmshpërblim për dëmin jopasuror.

-Rihapja e procesit: Gjykata vuri në dukje se legjislacioni shqiptar parashikon mundësinë e rihapjes së procesit gjyqësor në nivel kombëtar për rishqyrtimin e rastit në dritën e këtij aktgjykimi.

Ky vendim është marrë në mënyrë unanime nga një dhomë e përbërë prej shtatë gjyqtarësh.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT