FOTO: Mediu dhe biznesmeni i Gërdecit, me vila ngjitur në bregdet, fotot i publikoi gazetari i njohur para se të ndahej nga jeta

Këtë 15 mars u mbushën 18 vite nga ngjarja e rëndë e Gërdecit.
Në maj 2009, publicisti Ardian Klosi publikoi librin e tij të fundit “Katastrofa e Gërdecit”. Tre vjet më pas, i ndjeri u vetëvra. Pjesë prej libri janë botuar në DITA.
Kjo vepër është frut i një pune të gjatë të tij mbi ngjarjen e Gërdecit, rrethanat dhe ngjarjet e tjera që i paraprinë. Libri përmban dokumentacion të pasur, referenca arshivore, mediatike dhe fotografi me personazhet e prekura nga tragjedia e Gërdecit.
Kemi të bëjmë me një vepër, e cila kërkon ta vështrojë ngjarjen e Gërdecit, të pandarë nga skenat dhe prapaskenat e saj. Libri sjell gjithashtu, edhe dëshmi nga familjet e viktimave.
Klosi, i njohur për modestinë e tij, nuk shpall ndonjë meritë të veçantë për zbulimin e dokumentave të bujshëm apo marrjen e ndonjë deklarate “bombë”, por në të vërtetë brenda librit gjen vërtetë të tilla.
Një prej tyre është zbulimi i Klosit se ish-ministri Fatmir Mediu posedon vilë ngjitur me biznesmenin e Gërdecit, Delijorgji. Zyrtarisht Delijorgji ishte pronar i “Albademil”, firmës që kreu demontimin e municioneve në fabrikën e Gërdecit.
Të dyja vilat gjenden pranë njëra tjetrës në brengdetin e Adriatikut në zonën e Golemit.

Klosi ka marrë dhe analizon me qindra pohime, dëshmi dhe dokumenta mbi aferat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe qeverisë shqiptare me armatimet dhe municonet.
Kështu ndërtohet tabloja e një prej aferave më të mëdha korruptive të shtetit shqiptar në dy dekadat e fundit, që pati një kosto të madhe, e veç të tjerash, solli humbjen tragjike të 26 jetëve; fëmijë, gra, burra e pleq.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njoftoi disa kohë më parë vendimin e pranimit të kërkesës së SPAK për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Bashkë me Berishën dhe djalin, ata kanë mbi vete përgjegjësinë ligjore dhe morale për ngjarjen tragjike të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.
Mbrojtësit e zgjedhur nga Mediu kanë konfirmuar se i qëndronin kërkesës për gjykim të shkurtuar. Sipas gjykatës, nga verifikimi i akteve nuk janë gjetur akte procedurale të pavlefshme apo prova të papërdorshme.

