Flamur Noka për kandidaturën e Salianjit: “Zotëria në fjalë” nuk i plotëson kushtet, nuk është anëtar i Partisë Demokratike

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi sonte në A2CNN se në strukturat drejtuese të PD mund të aplikojnë vetëm ata që plotësojnë kushtet e statutit, ku kushti i parë është të jesh anëtar i partisë. Këtë ai tha pasi Ervin Salianji ka shpallur kandidaturën e tij për kreun e Partisë Demokratike.
Ai theksoi se “çdo parti ka rregullat e veta” dhe se një nga vijat e kuqe të PD është mosbashkëpunimi me krimin e organizuar, duke shtuar se partia synon të afrojë intelektualë, akademikë dhe aktorë të shoqërisë civile.
“Në Partinë Demokratike kanë të drejtë të aplikojnë për të qenë në strukturat drejtuese të gjithë ata që plotësojnë kushtet. Kushti i parë është të jesh anëtar i kësaj partie. Zotëria në fjalë nuk është anëtar i asaj partie. Në PD ka statut, ka rregullore dhe kushti i parë është të jesh anëtar”,- tha Noka.
Ai u ndal edhe tek procesi i integrimit evropian, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama si pengesën kryesore. Europa po thotë se integrim me Edi Ramën nuk ka. Opozita ka bërë gjithçka për integrimin, kemi votuar çdo gjë që ka të bëjë me të. Pengesa është Edi Rama, tha ai duke kërkuar zgjidhje politike për të zhbllokuar procesin.
“Një politikan shumë i rëndësishëm europian, një mikut tim i ka thënë këtë: “Kanë vënë duart në kokë kur kanë firmosur certifikatën top sekret më të lartë të NATO-s. Dhe kam parë ato gjëra që po të m’i thonte dikush, kurrë nuk do ia besoja”. Për qeverinë shqiptare dhe për Shqipërinë po flitet. Gjermania sot është ajo që kanë vendosur bllokun. Dhe sot Europa po thotë: “integrim me Edi Ramën nuk ka”. Opozita ka bërë gjithçka për integrimin. Ne e duam integrimin dhe kemi bërë gjithçka. Kemi qenë me lider të burgosur, kemi qenë në margjinalizim ekstrem dhe kemi shkuar në Parlament dhe kemi votuar çdo gjë që ka të bëjë me integrimin. Ne e mbështesim. Pengesa e integrimit, po thuhet me zë dhe me figurë nga ndërkombëtarët, është Edi Rama. Dhe ndaj ne po themi që procesi i integrimit të mos bllokohet dhe duhet të ecë. Për këtë, duhet zgjidhje politike”-vijoi Noka.
Duke folur për situatën politike, Noka tha se opozita e konsideron Ramën si faktor destabilizues dhe fajtor për problematikat e vendit. Ai nënvizoi se në regjime hibride rruga e vetme është përballja dhe protesta, duke shtuar se ndërkombëtarët po e konfirmojnë këtë realitet.