Evis Sala shkon në Itali në kërkim të medikamenteve: Prioriteti ynë është i qartë, të marrim ilaçe cilësore

Ministrja Evis Sala, e cila para se të emërohej në krye të Shëndetësisë ka mbajtur mbi supe një karrierë të gjatë në sektorin e mjekësisë në shtetin fqinj, ka udhëtuar drejt Romës për të siguruar medikamente cilësore për qytetarët shqiptarë.
Gjatë kësaj vizite zyrtare në Itali, ministrja zhvilloi takim të rëndësishëm me përfaqësues të Agjencisë Italiane të Barnave, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën farmacuetike.
Në fjalën e saj, ministrja theksoi se institucionet shqiptare janë të angazhuara për modernizimin e sistemit farmaceutik, duke synuar rritjen e aksesit të qytetarëve në barna të sigurta, cilësore dhe efektive.
Ajo vuri në dukje se prioritet mbetet garantimi i furnizimit të qëndrueshëm me ilaçe dhe rritja e besimit të pacientëve te sistemi shëndetësor, përmes forcimit të mekanizmave të kontrollit dhe transparencës.
“Prioriteti ynë është i qartë: modernizimi i kuadrit farmaceutik, forcimi i aksesit të pacientëve në ilaçe të sigurta dhe cilësore, dhe përafrimi i legjislacionit tonë me acquis të BE-së dhe detyrimet që vijnë me procesin e integrimit të Shqipërisë”, mësohet të ketë thënë ministrja, ndëkrohë që një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte ndërtimi i një kuadri të qëndrueshëm bashkëpunimi institucional mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në këtë drejtim, palët po shqyrtojnë mundësinë e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi, i cili do të shërbejë për të thelluar bashkëpunimin në fusha kyçe si Vlerësimi i Teknologjisë Shëndetësore, farmakovigjilenca, politikat rregullatore dhe standardet e cilësisë.
Ky takim vjen në një moment kyç për reformën që po ndërmerret në sistemin farmaceutik shqiptar dhe për procesin e integrimit evropian të vendit.